Telegrafi

Në Çarshinë e vjetër të Shkupit hapet “Libraria e Çarshisë”

"Projekti ‘Libraria e Çarshisë’ paraqet nismë për të avancuar dhe pasuruar ofertën kulturore, letrare dhe artistike shqiptare në Shkup. Hap dyert për të gjithë ithtarët e librit shqip, artit dhe kulturës tradicionale dhe bashkëkohore. Duke i ofruar vizitorit të librarisë librin më të ri shqip, si dhe arkivat e pasura të të gjithë botuesve shqiptarë nga të gjitha rajonet, do të afrojmë lexuesin e Maqedonisë drejt ngjarjeve më aktuale letrare", theksoi themeluesi i projektit, Norik Selimi.

Duke përcjellë trendin evropian, Libraria në vete përmban dhe cafe-bar, i cili jep mundësi çdokujt të kalon çaste të rehatshme dhe të shijojë frymën e Shkupit të Vjetër, raporton INA.

Këtu, jepet mundësia dhe për organizimin e kokteleve të ndryshme dhe mbrëmjeve të lehta muzikore. Kafe-bari do të veçohet me ambientin unik dhe me ofertën specifike. I tërë koncepti i integrimit të përmbajtjeve të ndryshme, do të paraqet platformë për të filluar iniciativa dhe ide të ndryshme bashkëpunimi mes anëtarëve dhe vizituesve të këtij klubi kompleks.

Sipas Selimit, bashkëpunimi me institucionet tjea relevante do të jetë kyç për të zhvilluar dhe avancuar rolin e librit dhe artit në shoqërinë tonë. E tërë kjo do të bëhet përmes fushatave të ndryshme promovuese, si mediatike ashtu edhe të reklamimit të jashtëm. /Telegrafi/