Site icon Telegrafi

Në burgjet e Kosovës: Lufta për të mbijetuar burgun dhe pandeminë

Më 19 gusht, në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali afër Prishtinës, u vetëvra një i paraburgosur i lindur më 1988.

Autoritetet thanë se stafi ka ndërhyrë menjëherë dhe viktima, me iniciale Y.D është dërguar në spital, por ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Për shkak të përdorimit të drogave dhe çrregullimeve mendore, viktima thuhet se ka qenë në trajtim psikiatrik, psikologjik dhe mjekësor.

“Po ashtu gjithë kohën ka qenë nën përcjellje, varësisht nga gjendja e tij shëndetësore”, kanë thënë nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, institucion ky i cili mbikëqyr sistemin e burgjeve.

Një i burgosur tjetër vdiq para 10 ditësh.

Për dy vdekje të tjera brenda burgjeve u raportua në muajin prill dhe për një tjetër në shkurt të këtij viti. Të gjithë këta të burgosur u tha se ndërruan jetë për shkak të problemeve shëndetësore.

Sipas organizatave monitoruese, për shkak të pandemisë COVID-19, më 2020, trajtimi shëndetësor i të burgosurve u vështirësua.

Një vizitë mjekësore e rregullt (jo emergjente) për një të burgosur në një nga qendrat korrektuese në Kosovë, gjatë vitit 2020, shpesh ishte e pamundur.

Edhe nëse një kërkesë e tillë do të realizohej, për të burgosurin do të përkthehej në izolim të detyrueshëm dyjavor, për të shmangur rrezikun e infektimit me koronavirus.

Sipas raportit të Departamentit të Shëndetësisë në Burgje, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, 237 të burgosur dolën pozitivë me COVID-19 gjatë vitit 2020, përkatësisht 34 për qind të të testuarve.

Gjatë 2020-s, sipas këtij raporti, u shënuan 10 vdekje nëpër burgje, tre prej të vdekurve që kishin sëmundje të rënda ishin po ashtu pozitivë me COVID-19.

Fatmire Haliti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) tha se në vitin 2020 patën ankesa të theksuara në lidhje me trajtimin shëndetësor në burgje.

“Ata nuk kanë mundur të marrin trajtimin e duhur mjekësor sikurse para pandemisë, sepse kanë qenë masat kufizuese dhe vetëm ata me gjendje të rëndë shëndetësore apo rastet emergjente janë dërguar për vizita mjekësore, ndërsa ata që kanë pasur vizita të rregullta, i kanë humbur terminet”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Halitit, problemet më të mëdha u hasën në Burgun e Dubravës që numëron rreth 900 të burgosur.

“Ankesat kryesore të të burgosurve janë në vonesën e ofrimit të shërbimeve… humbja e termineve për vizita jashtë institucionit (burgut), mungesa e vizitave pasuese. Kemi herë pas here ankesa edhe për mungesë të barnave”, tha Haliti.

Në periudha të ndryshme gjatë vitit 2020, Shërbimi Korrektues i Kosovës, ndërmori masa kufizuese për shkak të pandemisë. Vizitat e familjarëve u ndaluan dhe në fuqi hyri izolimi i përkohshëm për të burgosurit, që hynë në burg gjatë asaj kohe.

Edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës ka pranuar se sfidë gjatë pandemisë ka qenë ofrimi i trajtimeve shëndetësore.

“Duke pas parasysh situatën e krijuar nga pandemia në vend, të burgosurit me probleme shëndetësore, të cilët kanë bërë kërkesë për trajtim jashtë institucioneve korrektuese, kanë pasur kufizime në marrjen e tretmaneve shëndetësore nëpër spitalet rajonale dhe në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar”, thuhet në përgjigjen e Shërbimit Korrektues për Radion Evropa e Lirë.

Kërkesë për pezullim të dënimeve për të sëmurët rëndë

Të burgosurit nëpër Kosovë, varësisht prej gjendjes specifike shëndetësore, trajtohen brenda burgut dhe në raste të tjera në spitalin më të afërt rajonal apo edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në njoftimin e datës 10 gusht, 2021, Shërbimi Korrektues i Kosovës kishte bërë të ditur se një i burgosur 84-vjeçar, kishte vdekur në Spitalin Rajonal të Pejës.

“I burgosuri ka qenë i shtrirë në stacionarin e burgut tërë kohën si pasojë e sëmundjeve të rënda kronike të zemrës, mushkërive, sëmundjeve neurologjike, të prostatës, fytit, si dhe pamjaftueshmërisë së veshkave, sëmundje këto me të cilat ka ardhur në burg në fillim të vitit 2018”, thuhej në njoftim.

Behgjet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) tha se në vazhdimësi kanë pranuar ankesa nga të burgosurit me sëmundje të rënda, në lidhje me trajtimin e tyre.

“Të burgosurit, sidomos ata që janë në moshë të shtyrë ose që kanë sëmundje të pashërueshme, ankohen që trajtimi i tyre po bëhet në mënyrë joprofesionale”, tha ai.

Sipas Shalës, ata kanë bërë kërkesë dhe kanë rekomanduar që rasteve të moshave të shtyra dhe me sëmundje të pashërueshme t’iu pezullohet dënimi, por gjykata ka refuzuar këto kërkesa.

Dhunë e keqtrajtime nëpër qendrat korrektuese

Përveç problemeve me trajtim shëndetësor, sipas raporteve të organizatave vendore joqeveritare dhe atyre ndërkombëtare, të burgosurit në Kosovë hasën në sfida të tjera gjatë vitit 2020.

Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit thekson se janë evidentuar raste të dhunës dhe keqtrajtimit në burgje.

“Deri në shtator (2020), Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT) pranoi 14 raporte mjekësore për lëndime të të burgosurve nga dhuna në mes të të burgosurve, si dhe lëndime për të cilat të burgosurit pretendojnë se u shkaktuan nga dhuna e zyrtarëve të burgut”, thuhet në raport.

Mangësi, sipas raportit, u gjetën edhe në kuadër të trajtimit të problemeve me shëndetin mendor në burgje.

“Ligji kërkon që të burgosurit me probleme të dokumentuara me shëndet mental të mbahen në institucione të dedikuara për trajtimin e shëndetit mental, por këta të burgosur shpesh janë vendosur në burgje standarde për shkak të mbingarkesës së institucioneve të shëndetit mendor”, thuhet në raport.

Me gjithë gjetjet e këtij raporti, Shërbimi Korrektues i Kosovës, tha se “institucionet korrektuese qëndrojnë mirë në aspektin e sigurisë pasi që zbatohen mirë të gjitha masat e sigurisë, çdoherë duke u bazuar në rrezikshmërinë e të burgosurve dhe të institucioneve”.

Në njoftimin e Shërbimit Korrektues më 17 qershor u bë e ditur se masat në burgje për shkak të pandemisë lejojnë vizitat për të burgosurit, por me obligim të vendosjes së maskës. Është hequr edhe rregulli i karantimit të të burgosurve, përpos atyre me simptoma të sëmundjes COVID-19. /rel/

Exit mobile version