Telegrafi

Në Bundestagun gjerman përplasje për eurointegrimet e Maqedonisë së Veriut

Parlamenti gjerman sot debatoi dhe mbështeti anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, por deputetët hynë në një konflikt të hapur për shkak të anulimit të debatit për bisedimet me BE-në.

Atmosfera u prishi deputeti i opozitës të partisë së Gjelbër, Jurgen Tritin, i cili vlerësoi se rreth fillimit të negociatave të Shkupit me Brukselin ekziston një konflikt brenda vetë qeverisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Kancelarja është kundër, ndërsa ministria e Jashtme është e angazhuar për fillimin e negociatave. Koalicioni nuk mund të pajtohet për këtë çështje”, tha Tritin. Qeveria e koalicionit në Gjermani përbëhet nga partia Angela Merkel-CDU dhe Partia Socialdemokrate (SPD), në të cilën bënë pjesë ministri i Jashtëm, Heiko Maas.

“Dëshira e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut është jo vetëm që të jenë pjesë e NATO-s, por edhe pjesë e një Evrope të bashkuar”, tha deputeti i të Gjebërve.

Tritin vlerësoi se kryeministri grek Alexis Tsipras flijoi karrierën e tij politike për të arritur marrëveshjen e Prespës dhe për shkak të kësaj ai do të humbas pushtetin në zgjedhjet e ardhshme.

Tritini pyeti nëse dikush dëshiron që Maqedonia e Veriut të hyjë vetëm në NATO, por jo edhe në BE dhe nëse qytetarët e saj duhet të trajtohen si “evropianë të klasës së dytë”.

Ndërsa Krisitijan Shmit nga CDU tha se interesi strategjik i Gjermanisë është që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e BE-së dhe informoi se për fillimin e negociatave me BE-në do të flitet së shpejti. Shmit tha se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet në pako t’i fillojnë bisedimet./Telegrafi/