Telegrafi

Në billbordet e Prishtinës ekspozohen pushimet luksoze të djalit të Hashim Thaçit (FOTO)

Aktivistë të Vetëvendosjes kanë vendosur në disa billborde fotografi të pushimeve të Endrit Thaçit, djalit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, ndërsa në anën tjetër fotografi të fëmijëve të varfër.

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikate, ka thënë se aktivistët e saj përmes vendosjes së këtyre billboardave paraqiten hendekun e thellë mes mjerimit në Kosovë si pasojë e qeverisjeve me mendësinë e Hashim Thaçit dhe luksit të djalit të Hashim Thaçit, i cili shëtit gjithë botën dhe bën një jetë të tillë vetëm pse është i biri i Presidentit.

“Në Kosovë papunësia kalon shifrën prej 30%, ndërkohë më shumë se 17% e qytetarëve e kalojnë ditën me më pak se 2 euro në ditë. Në anën tjetër kemi jetën luksoze të qeveritarëve që nuk ia dijnë fundin pasurisë së tyre. Gati 3/4 e të papunëve janë të papunë afatgjatë, pra për më shumë se 12 muaj të papunë. Dhe, pothuajse 1/3 e të rinjëve të moshave midis 15 dhe 24 vjeç nuk janë as të punësuar, as në shkollim dhe as në ndonjë trajnim. Shkalla e punësimit tek këta është vetëm 8,5%”, thuhet në kumtesë.

“Aktivistë të Lëvizjes, përmes vendosjes së këtyre billboardave paraqiten hendekun e thellë mes mjerimit në Kosovë si pasojë e qeverisjeve me mendësinë e Hashim Thaçit dhe luksit të djalit të Hashim Thaçit, i cili shëtit gjithë botën dhe bën një jetë të tillë vetëm pse është i biri i Presidentit”.

Sipas VV-së, “në këto kushte të ndarjes së thellë shoqërore, liberalizimi i vizave, duke falur edhe tokë përmes marrëveshjes së Demarkacionit, do t’i shërbente djalit të presidentit dhe llojit të tyre që të shijojnë botën, ndërkohë, qytetarët e zakonshëm vazhdojnë të përballen me mbijetesë”.

“Në Shqipëri, edhe pse tashmë ka liberalizimin, janë mbi 11 mijë raste të ndalimit për tu futur në BE për shkak se të njejtit s’kanë të holla të mjaftueshme për të arsyetuar udhëtimin e tyre. Një liberalizim i këtillë i shërben vetëm bijëve të politikanëve që edhe ashtu, siç po e shohim përmes fotografive, po e shijojnë botën”, thuhet në kumtesën e VV-së. /Telegrafi/

© Te gjitha te drejtat e rezervuara KosovaPress.