Për ta shkruar këtë shkrim mora shkas një ditë kur të gjitha këto gjëra të poshtëshkruara mu sollën në kokë se po i jetoj edhe ato që nuk i kisha imagjinuar dikur.
Mbaj mend si sot se qysh kur kam filluar të kuptoj e të kem vetëdije, prindërit dhe familjarët mi patën numrluar disa rregulla që nuk guxoja t’i shkelja. Edhe sot e asaj dite ende i kam të pikatura në mendje.
Rregullat për mua ishin më rigoroze se sa për shokët tjerë që jetonin në katet e mëposhtme të banesës sonë të dikurshme trikatëshe. Përderisa jetonim në katin e fundit të asaj ndërtese që ishte e treta në qytet për nga vjetërsia, nuk guxoja kurrsesi që gjatë ecjes nëpër shkallë të “gërvallësha” me zë të madh për asnjë arsye; nuk guxoja gjithashtu që të vrapoja nëpër shtëpi e as ta lëshonim zërin e TV-së apo radios shumë deri në ora 10:00 e mëngjesit, ngaqë poshtë nesh jetonte dikush që ndoshta flinte dhe pushonte. Por, kjo nuk përfundonte këtu. As fshesa elektrike e as makina larëse nuk lëshoheshin deri në atë kohë. Këto ishin rregullat e pashkruara që ne i respektonim rreptësishtë.
Edhe në mbrëmje ishte i njëjti avaz. Deri në ora 11:00 mund të lëvizje lirë dhe pa ja vënë veshin fort veprimeve që sillnin zhurmë, por më pas fillonte avazi i mëngjesit. Kjo gjë në vikend duhej që të zgjatej më shumë, sepse brenda shtëpisë sonë flinin e pushonin më shumë. E gjitha kjo kishte kuptim dhe jeta ishte shumë e mirë. Njerëzit që jetonin atë kohë në banesa nuk i hidhnin filterë cigaresh, nuk pështynin, nuk ngjisnin sakëz në shkallë dhe organizoheshin bashkë që t’i fshinin shkallët e banesës një herë në javë.
Pas përfundimit të luftës filloi një “këngë” tjetër. Diku patëm dëgjuar se kishin bërë flija në ballkon, podrumet shumë njerëz i kishin shfrytëzuar për ta zbrazur barkun dhe hedhjen e ndonjë bërlloku të mbetur në dorë. Më pas kur u harrua lufta dhe të këqijat që na solli ajo, filluan që edhe muzikën ta lëshojnë me zë që preferohet në ambiente të hapura. Pasta, kur kishte festë të Vitit të ri, “bombicat” më shumë kumbonin në fund të shkallëve, aty kur dikur ne uleshim në hyrje dhe shtronim gazetat para vete që t’i mbushim me farat që i hanim duke bërë muhabete të ndryshme.
Kaluan vite e vite e filloi një zakon tjetër. Gurbetqarët tanë më në fund e panë të arsyeshme që mos të ndërtojnë shtëpi në fshatrat e tyre, por të blejnë një banesë në shehër dhe t’ia heqin gajlen banimit gjatë vizitës këtu. Deri këtu çdo gjë në rregull, por nuk përfundon këtu. Në ata muaj që vinë ata duan të kryejnë çdo punë. Përderisa në vendet e tyre nuk guxojnë deri në orën e cekur më lartë – si dikur këtu – të fillojnë punën, këtu fillojnë në ora 7:00 duke mos përjashtuar as vikendet. Punon hilti dhe turjelat me mëngjes, që ty të bie si bombë në kokë përderisa mundohesh të pushosh, sepse edhe në rrugë dikush e ka lëshuar zërin e muzikës në automjet jashtë normales.
Këtu nuk ka një polici komunale apo qytetare që merret me këso gjërash, sepse policia e zakonshme që është nuk ja ka qejfin të merret me këso gjërash, sidomos ajo e qytetit tim. Në një formë vetëm shëtitën dhe trotuaret nuk shkelen nga këmbët, por nga rrotat dhe për zhurmën mund të paramendohen hapat.
Ne, që dikur jetonim qetë, nuk po kërkojmë asgjë të jashtëzakonshme, por vetëm që të tentoni të silleni si njerëz normal.