Site icon Telegrafi

Në autopsinë e Deharit, do të lejohet prania e mjekëve të kërkuar nga familja

Avokatit të Popullit ka reaguar ndaj kërkesës së familjes Dehari, për lejimin e prezencës së mjekëve të caktuar nga ana e tyre, gjatë procesit të autopsisë së birit të tyre A.D.

“Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka pranuar kërkesën e familjes Dehari, lidhur me prezencën e mjekëve të caktuar nga familja, gjatë procesit të autopsisë të birit të tyre A.D., i cili mbahej i paraburgosur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Kërkesa është drejtuar duke pasur për bazë faktin se në kuadër të IAP-së, funksionon, si një strukturë e veçantë, Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës dhe trajtimeve e ndëshkimeve të tjera mizore, jonjerëzore dhe poshtëruese (MKPT), i cili ka për mandat të kryejë inspektime në vendet ku mbahen personat e privuar nga liria, në pajtim me Protokollin Opsional të Konventës kundër Torturës (OPCAT).

Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit, gjatë paradites së sotme, kanë kontaktuar Prokurorinë Themelore në Prizren lidhur me kërkesën e familjes Dehari dhe kanë marrë konfirmimin se do të lejohet prania e mjekëve të caktuar nga familja gjatë autopsisë, gjë që pritet të bëhet gjatë ditës së nesërme! Avokati i Popullit e ka mirëpritur vendimin e Prokurorit, që të marrë parasysh kërkesën e familjes.

Avokati i Popullit shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e jetës së A.D. dhe njëkohësisht bën thirrje për maturi dhe vetëpërmbajtje nga komentet e ngutshme, jo kompetente dhe kontradiktore. Po ashtu u bën thirrje mediave dhe secilit, që, në një apo tjetrën mënyrë, e kanë mundësinë e plasimit të fjalës publike, të respektojnë dhimbjen e familjes me rastin e humbjes së birit të tyre dhe të lejojnë që një hetim profesional dhe i pavarur të zbardh të vërtetën mbi humbjen e jetës së A.D.”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version