Telegrafi

Në Australi temperaturat arrijnë në plus 50, e në SHBA minus 50 gradë celsius (Foto/Video)

SHBA-në e ka goditur vala e akullt arktike ku temperaturat kanë rënë në minus 50 gradë celsius, me ç’rast qytetet pothuajse kanë ndalur së funksionuari nga i ftohti ekstrem që deri më tani ua ka marrë jetën 12 personave.

Ndërkaq në anën tjetër të planetit në Australi dhe Zelandën e Re, janë shënuar temperatura shumë të larta, ku si rezultat ka filluar të shkrihet asfalti në disa pjesë, transmeton Telegrafi.

Derisa hemisfera veriore është duke u përballur me borë dhe të ftohtë, në atë jugore janë duke u “djegur” nga i nxehti. Dallimi i temperaturave në hemisferën jugore dhe atë veriore ka kaluar 100 gradë celsius.

Në këto dy pjesë të botës moti është “çrregulluar” e dallimi është shumë i madh. Derisa në SHBA këshillohen qytetarët çfarë të bëjnë për t’i mbijetuar temperaturave të ulëta, në Australi dhe Zelandën e Re qytetarët janë duke bërë të pamundurën t’i shpëtojnë dehidrimit nga temperaturat e larta që madje kanë shkaktuar zjarr në zona të ndryshme.

Pritet që gjatë fundjavës në Shtetet e Bashkuara të bien edhe më shumë temperaturat, madje në minus 53 gradë celsius. Kurse meteorologët paralajmërojnë se në Australi do të mbretërojnë ende temperaturat e larta, ku shumë qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga i nxehti i madh.

Mbrëmë në Chicago është matur temperatura që ka qenë minus 30 gradë celsius, që konsiderohet më ftohtë sesa në disa pjesë të Antarktikut. Në Grand Forks në Dakotën e Veriut, mbrëmë është regjistruar temperatura deri në minus 54 gradë celsius. Në anën tjetër në Australi mbrëmë është regjistruar temperatura më e lartë prej 50 gradë celsius.

Se sa të ulëta janë temperaturat aktuale në SHBA, flasin të dhënat e meteorologëve që kanë paralajmëruar se në këto temperatura, ekziston mundësia e madhe që nëse një person i ekspozohet atyre për 10 minuta mund të ngrihet plotësisht. E në Australi nga temperaturat e lartë, janë tharë lumenjtë e qindra kafshë kanë ngordhur nga dehidrimi dhe vala e të nxehtit. /Telegrafi/