Ndryshimet në Programin Australian të Vlerësimit të Makinave të Reja (ANCAP) janë në proces dhe do të përfshijnë testimin e ujit nga përmbytjet.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, protokollet e fundit për ANCAP hyjnë në fuqi nga janari 2023 dhe do të inkurajojnë prodhuesit e makinave që t’i përshtatin automjetet me sisteme që lejojnë që dritaret dhe dyert të mbeten funksionale edhe nëse një automjet hyn në ujë – si për shembull në rastet e përmbytjeve.
Kërkesat për funksione të caktuara të automjeteve për të mbetur funksionale pasi një automjet zhytet në ujë po futen si pjesë e një zgjerimi të protokolleve të shpëtimit të ANCAP-it pas përplasjes.
Këto synojnë të ndihmojnë “reaguesit e parë” në shpëtimin e të rrezikuarve.
Kështu, testet do të kërkojnë që prodhuesi i makinave të provojë se dyert e një automjeti mund të hapen nga brenda dhe jashtë pa energji elektrike.
Gjithashtu do t’u kërkojë prodhuesve të makinave të sigurojnë që dritaret të mund të funksionojnë deri në 10 minuta pasi një automjet është zhytur.
Ato kompani që nuk arrijnë t’i plotësojnë këto kërkesa do të duhet të përshkruajnë një metodë në manual se si të hapet ose thyhet një dritare. /Telegrafi/