Site icon Telegrafi

Në atdhe për festat e fundvitit

Sikur fëmija i vogël që lumturohet shumë kur dita e fillimit të shkollës ofrohet, pas zhegut të verës së gjatë, edhe emigrantët me padurim e presin kohën e motmotit kur festat puqen me njëra-tjetrën dhe mundësia e rendjes për në atdhe ofrohet. Foleja e shpirtit, jo vetëm se është shumë e ngrohtë për tu takuar me familjarët dhe njerëzit e dashur, por të sjell ngashërim për kujtesën personale kurdo që e vizitojmë. Kështu pra, unë, si shumë shqiptarë anë e kënd rruzullit tokësor me rastin e festave të fundvitit, u ktheva prapë në atdhe.

Episodi i parë: Aeroporti në Prishtinë

Para pak ditësh pata mësuar nga mediat kosovare se qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur ta quaj Aeroportin e Prishtinës me emrin e nderuar të Adem Jasharit. Çfarë vepre e qëlluar mendova, dhe me padurim prita të shoh se si ishte manifestuar një vendim i tillë nga autoritetet e aeroportit. U zhgënjeva paksa, sepse vetëm me shkronja të vogla emri i komandantit legjendarë ishte shkruar në tabelën e ndryshkur dhe të shqyer nga era që shënjon emrin e aeroportit. Ndoshta në një të ardhme emri i madh e këtij njeriu vigan do të mund të përjetohet me një shtatore në perimetrin e aeroportit, dhe me një emërtim më të dukshëm në hyrje të terminalit.

Por ky nuk ishte zhgënjimi im i vetëm në aeroport. Derisa ne po prisnim në radhë kalimin e pikës kufitare, sepse përpos aeroplanit që na solli neve në Prishtinë, pak para nesh kishte mbërritur edhe një fluturake tjetër nga Zvicra, dikush nga matanë oficerëve të doganës ia bëri me shenjë një çifti që të kalonte përpara nesh. Ky dikush që mbante një kostum veshur dhe tregonte bark të dhjamosur e flokë tullace, iu tregoi miqve të tij se ai është njeri me peshë, dhe se kalon kënd të dëshiroj pa këqyrjet e nevojshme matanë vijës së kufirit ndërkombëtarë. Lumturia e çiftit që po shtyheshin me bërryla mes neve të tjerëve që prisnim radhën ishte e lexueshme në fytyrat e tyre. Sikur na thoshin: ju mjeranet e gjorë nuk keni dosta në aeroport, prandaj edhe duhet të pritni. Megjithatë lumturia e tyre ishte jetëshkurtër, sepse çantat me të cilat ata kishin ardhur, nuk dilnin dot përpara çantave të udhëtarëve të tjerë. Këtu dosti nuk mundi të bënte asgjë. Ata si edhe ne, priten radhën derisa morën nga rrotulluesja çantat e tyre. Por atë që arritën ta tregojnë ishte një bezdi e neveritshme e më se 300 vetave që tundnin kokën në shenjë mohimi, apo mërmëritnin diçka fyese për dostin matanë, dhe miqtë e tij nga ana tjetër e kufirit.

Episodi i dytë: Zhvillimi ekonomik

Çdo herë kur kthehem në atdhe, kullos sytë për të parë ndonjë gjë që mund të vërehet dhe mund të quhet si përparim i çfarëdo lloji qoftë. Derisa vëllai im fisnik përpiqet që të më shpjegoj se punët po ecin ngadalë, por ama po ecin, unë sa nuk shqyej sytë për të parë diçka që mund të më vinte buzën në gaz nga hareja. Fatkeqësisht edhe kësaj radhe situata po ashtu e njëjtë. Pirgje plehrash në skaje të rrugëve, 1001 pompa benzine, apo objekte të vetëquajtura hotele, rend dëshpërues në urbanizëm, varfëri dhe pakënaqësi sa të duash. Më konkretisht, një rrugë e vendbanimit tim veç 7 km e gjatë që kish filluar të ndërtohet qysh në muajin Maj të 2010-tës akoma nuk kish përfunduar me asfaltim. Por një grimë shprese ma joshi shpirtin. Nga dalja prej aeroportit të Prishtinës e deri në fshatin Komaran, zgjerimi i rrugës kish marrë përmasa të mëdha dhe më në fund sistemi rrugorë i Kosovës duket se po përmirësohet. Për të mos i hyrë në hak maturisë së vëllait tim, rruga po lëshonte shtat.

Episodi i tretë: Prishtina dhe hoteli Grand

I ngarkuar me detyrimet lidhur me studimet e mija, gjithmonë kur kthehem në Kosovë vizitoj edhe kryeqytetin, megjithëse humb shumë kohë nëpër arkiva, fakultete apo qendra të dijes, qytetin e shoh të rritet dhe të zmadhohet, por të mos ndryshoj aspak. Makina që veç sa nuk ta marrin shpirtin me shpejtësi marramendëse gjarpërojnë rrugët e kryeqytetit. Trotuarë që janë mbuluar nga makinat e parkuara mu në mes të vendit ku udhëtarët duhet të ecin të sigurt. Kavanoza mbeturinash që kundërmojnë edhe në dimër, të mbushura përplot, me një kope qensh endacak që përvidhen nëpër këmbët e udhëtarëve shpesh në rrezik prej tyre.

Pasi takoj disa miq në Institutin e Historisë, interesohem për të biseduar me një shkencëtarë rreth disa problemeve studimore. Njëri merr në telefon tjetrin dhe njoftohem se Profesori me të cilin do bisedoja shpreh kënaqësinë që të më takoj mua pasdite në Hotelin Grand. Rreth orës 15:10 në hotel e takoj profesorin e nderuar, dhe ndërsa neve bisedonim si i shkujdesur vërej ambientet përreth në sallonin e madh të hotelit, e i cili si peshë e jo gjë tjetër mban akoma mbi trupin e tij pesë yje. Karrigia që isha ulur mbante pelerina të bardha si duket mbetur nga ndonjë dasmë që kish qenë aty para një apo më shumë ditësh. Ajo si edhe tavolina mbanin erë alkooli, kurse mbulesa e tavolinës e luluar nga njollat e shumta dhe e pa hekurosur më kujtonte vizatimet zhgarravitëse të klasës së parë. Habia ime nuk mbaronte këtu, filxhanët në të cilët na u sollën kafetë kishin pëlcitur, dhe rrethi i tyre dukej sikur ish grimcuar me dhëmb. Tepihu me ngjyrë të kuqe verbuese ishte po ashtu i mbuluar me shenja yndyrash. Unë e di se në Prishtinë ka probleme me furnizimin me ujë, porse problemet kanë shkuar aq larg sa në hotelin Grand të mos lahen mbulesat dhe tepihu nuk e kam ditur.

Episodi i katërt: Katastrofa

Të habit shumë gjuha e shqiptarëve të mi të mirë. Duke dashur që të tregojnë pakënaqësi me situatën cilado qoftë ajo, fjalën katastrofë e ngjisin fare pa u përshtatur në diskutim. Kështu për shembull; një fqinji im tha se ishte katastrofë që një vrimë në rrugën e asfaltuar ishte akoma e hapur qysh se dikush kish menduar që të vjedh mbulesën e metaltë të kanalizimit në hyrje të qytetit. Një çuni i xhaxhait, student i suksesshëm në Universitetin e Prishtinës, tha se është katastrofë që në mezen studentore çdo tre dit iu shërbejnë makarona. Një mbesa ime që punon në një institucion publik tha se është katastrofë që në zyrën e sajë të punës janë prishur dy karrige dhe askush nuk i ka zëvendësuar ato. Një shoku im i vjetër që takova, tha se është katastrofë që në dyqanin e tij nuk ngroheshe dot me vetëm një kaldajë. Një profesor Universiteti tha se është katastrofë pse iu kishte lagur këpuca nga lluca e krijuar në oborrin e fakultetit, e sa e sa katastrofa të tjera.

Unë ndërkaq habitesha nga kjo shprehje që iu është qepur shqiptarëve në gojë, duke menduar në lëndën e kulturës së të shprehurit që e kam dhënë para pak vitesh. Aty profesori ynë francez që fliste rrjedhshëm gjashtë gjuhë të botës na tërhiqte vërejtjen që të mos banalizojmë bisedën me kolokualizma rrugësh. Kisha prandaj shumë të drejtë për të menduar se sikur Professori Pjer Sodly të ishte pran meje si do të kishte reaguar? Dhe si për ta çartur edhe më shumë qefin tim, shkoj dhe lexoj përkufizimin që fjalori i gjuhës Shqipe i bën fjalës katastrofë derisa isha në Institutin Albanologjik. Dhe ja se çka thuhet pak a shumë aty; katastrofë – gjendje e jashtëzakonshme e shkaktuar nga efekte të pa pritura dhe të pa kontrolluara që kanë përmasa të tmerrshme për fatin e një numri të madh të një popullate në një vend të caktuar. Me fjalë tjera katastrofa janë tërmetet, luftërat shkatërrimtare, cunamet etj, e jo cikërrimat e jetës se shqiptarëve të dëshpëruar

Episodi i pestë: Prapë aeroporti

Pasi që është ndërtuar fillimisht pa planifikim të mirëfilltë dhe vetëm për nevojat e Armatës Popullore të Jugosllavisë, aeroporti në Albanë të Vogël gjendet në një fushëgropë e cila është e ngjeshur nga ujërat nëntokësorë dhe sipërfaqësorë, e që gjatë stinëve të vjeshtës, dimrit dhe pranverës së hershme ka shumë probleme me mjegull. Për ta pritur fluturimin drejt Londrës ne vajtëm në aeroport gati dy orë përpara, por u detyruam të prisnim edhe një orë e gjysmë më shumë derisa kushtet atmosferike na lejuan të fluturonim. Në ndërkohë terminali i nisjeve gumëzhinte nga njerëzit e shumtë që ishin grumbulluar. Aj numër i vogël i ulëseve në terminal ishte zënë, ndërsa çatia që pikonte në tre vende i kishte bërë të papërdorshme disa nga karriget prej hekuri, si dhe dyshemenë të rrëshqitshme sikur një fushë e akullt. Por askush nuk çante kokën për këtë. Në tualetin e katit përdhes brenda në aeroport, gjendja të bënte menjëherë të tërbohesh. Dyert e shqyera, lavamanët e fëlliqur, letër higjienike nuk kishte fare, ndërsa uji pikonte curril nga ulësja në tualet. Por mbi të gjitha era mbytëse që kundërmonte, të bënte të vihesh në pozitën e notarit olimpik e të mos marrësh frymë fare.

Pas arritjes në Londër shkoj në tualetin e parë që gjej në aeroport. Pastërtia është e denjë për të ngrënë ushqim brenda në të, edhe pse ka ndoshta 100 herë më shumë udhëtarë që kalojnë atë aeroport krahasuar me atë në Prishtinë. Si vazhdon të jetë kjo punë, pse nuk kemi akoma konsideratën e duhur rreth higjienës personale në ambiente publike? Pse ndodh kjo punë me ne? Ja teza bazë e një studimi të thuket sociologjik, por edhe medicinal në një të ardhme të afërt. Derisa kalojmë kufirin dhe presim të nisemi, drejtori i aeroportit me shpurën e tij prej nja 7-8 veta duket në njësitin e terminalit për nisje. Jo se e njoh personalisht, por e kam parë në televizor. Dua ti ofrohem e ta shtrëngoj për krahu që ta çoj në tualetin që më alarmoj nga ndyrësira, por në atë moment më bie telefoni dhe nga ana tjetër dëgjoj zërin engjëllorë të kolopuçit 8 vjeç, djalit të vëllait tim, i cili sapo kish dalë nga mësimi ish ngutur të më uronte rrugën e mbarë. Dhe zemra më zhgrehet nga gëzimi. Me gjithë dëshpërimin, ka shumë më shumë të mira në këtë vend, kujtohem me vete dhe nxjerr nga xhepi ditarin e punës për të planifikuar ardhjen time tjetër sa më të shpejtë drejt atdheut.

(Autori është Ligjerues në Qendren e Studimeve të Evropës Lindore në Universitetin e Glasgow-t, ligjërues në Fakultetin e Shkencave Politike të Njukasell-it, bashkëpunëtor shkencor në Qendrën për Studime Strategjike në Londër, anëtarë i Qendrës për Studimet Fqinjësore në Universitetin Stirling, dhe bashkëpunëtor korrepondent në Fakultetin e Studimeve politike të Varshavës)

Exit mobile version