Telegrafi

‘Në Argjentinë kam lindur, në tokën e Diegos dhe Lionelit’ – djali i Maradonas me dedikim për Messin

(Foto: Getty Images)

Djali i Diego Maradonas i ka bërë një dedikim Lionel Messit duke publikuar një fotografi të babait të tij me superyllin argjentinas.

Krahasimet mes dy legjendave argjentinase vazhdojnë të rriten, sidomos pas kualifikimit të Argjentinës në finale të Kampionatit Botëror në dëm të Kroacisë që e mpsohtën me rezultat 3-0.

Diego Armando Maradona Jr nuk shqetësohet nga krahasimet që i bëhen babait të tij me Messin, ashtu që e ka shpërndarë një fotomontazh, ku shihet Maradona duke e përqafuar Leon.

Në këtë postim, ai e ka publikuar edhe këngën e popullarizuar që po e këndojnë lojtarët dhe tifozët e Argjentinës në Katar.


“Në Argjentinë kam lindur, në tokën e Diegos dhe Lionelit dhe nuk do t’i harroj kurrë djemtë e Las Malvinas. Nuk mund t’jua shpjegoj, sepse thjesht nuk do ta kuptoni, sa vite mbaja zi, për finalet që humbëm”.

“Por, gjithçka ka mbaruar tani, sepse në Maracana, në finale kundër brazilianëve, babai fitoi edhe një herë. Djem, tani po ëndërrojmë përsëri. Dua të fitoj për herë të tretë, dua të jem kampion bote. Dhe ne mund ta shohim Diegon lart në parajsë, me Don Diegon dhe La Tota, duke brohoritur për Lionelin”.


Djali i Maradonas, Diego Jr, ende jeton në Napoli, ku e drejton ekipin vendas joprofesionist, ASD Napoli United. /Telegrafi/