Site icon Telegrafi

Në Apel, mbrojtja kërkon lirimin e Mustafës nga akuzat, rigjykim ose ulje të dënimeve

Në njoftimin për apel drejtuar gjykatës së shkallës së dytë, mbrojtja e Salih Mustafës, ka kërkuar prishjen e dënimevet për pikat 1, 3 dhe 4 dhe zëvendësimin e tyre me lirime për secilën pikë, ose një urdhër për kthimin e çështjes te trupi gjykues apo nëse vërtetohen një/të gjitha dënimet, ulje dënimi.

Ndryshe, më 16 dhjetor 2022, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, e kanë shpallur fajtor Salih Mustafën për krime lufte, duke e dënuar me 26 vjet burgim.

Në njoftimin për apel, mbrojtja ka listuar të gjitha gabimet që pretendon se i ka bërë trupi gjykues i shkallës së parë.

Ndër të tjera, thuhet se lidhur me politikën e dënimit të aplikuar në këtë rast, Paneli ka refuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë zbatimin e njërit prej parimeve më të qëndrueshme të ligjit penal të botës perëndimore – parimit të lex mitior.

Trupi gjykues sipas mbrojtjes nuk e ka zbatuar dhe/ose gabimisht/zbatuar parimin lex mitior, duke shkelur kështu të drejtat kushtetuese të ankuesit.

“Trupi gjykues ka gabuar në zbatimin e nenit 44 të ligjit, duke çuar në shkeljen e garancive kushtetuese nga neni 33 (2) të Kushtetutës së Kosovës; Trupi gjykues gaboi duke e interpretuar dispozitën e nenit 44 të ligjit në mënyrë të tillë duke injoruar natyrën e saj antikushtetuese në kundërshtim me nenin 33 (2) të Kushtetutës. Për këtë, mbrojtja propozon që Gjykata e Apelit t’i referohet për vlerësim kushtetues, nën kontrollin rastësor të kushtetutshmërisë, siç përcaktohet në nenin 113.8 të Kushtetutës së Kosovës, dispozitat e nenit 44 të Ligjit”, thuhet në njoftimin për apel.

Po ashtu, thuhet se trupi gjykues ka gabuar duke mos marrë parasysh në çdo rast praktikën e përgjithshme të dënimit të ish-Jugosllavisë në kohën e kryerjes së dënimit (jo vetëm dispozitat e KKSFJ-së) dhe duke mos dhënë arsye për largimin nga dispozitat e KPRSFJ-së dhe nga praktika e përgjithshme e dënimit të ish-Jugosllavisë në kohën e kryerjes.

Gjithashtu, theksohet se trupi gjykues bëri gabim duke mos marrë parasysh gamën e dënimeve të shqiptuara ndaj personave të dënuar për vepra të ngjashme në gjykatat/tribunalet tjera të Kosovës dhe ndërkombëtare.

“Kur e dënoi apeluesin në lidhje me pikën 3 mbi bazën se të paktën gjashtë persona u torturuan, kur sipas gjetjeve të trupi gjykues, ankuesi kishte marrë pjesë vetëm në torturimin e dy personave dhe kishte mjetet e nevojshme për torturë në lidhje me ata dy persona”, thuhet tutje.

Sipas mbrojtjes, vetë trupi gjykues zgjodhi të veprojë sipas rrethanave lehtësuese, por ka marrë parasysh vetëm faktorët rëndues kur vendosi për dënimin e të akuzuarit; ka refuzuar çdo rrethanë lehtësuese në favor të të akuzuarit dhe duke dhënë një dënim prej 26 vitesh burgim i cili sipas tyre ishte sa kapriçioz dhe haptazi i tepruar në të gjitha rrethanat.

Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, kishte njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Salih Mustafa akuzohej në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt, raporton betimiperdrejtesi.

Exit mobile version