Site icon Telegrafi

Në Angli janë të sigurt, Liverpoolit do t’i jepet trofeu edhe nëse sezoni i PL do të përfundojë tani

Liga Premier është pezulluar fillimisht deri më 3 prill pas përhapjes së coronavirusit edhe në Angli.

Pandemia e cila ka prekur gjithë botën ka bërë që të pezullohet përkohësisht Liga Premier, pasi trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta dhe sulmuesi i Chelseat, Callum Hudson-Odoi dolën pozitiv.

Në rast të përhapjes edhe më të madhe të kësaj pandemie, ekziston mundësia që Liga Premier të përfundojë para kohe sezonin.

Liverpooli është në pritje të titullit të kampionit që 30 vite dhe asnjëherë nuk ka qenë më afër se tani.

Skuadrës së Jurgen Klopp i nevojitën vetëm dy fitore për tu shpallur matematikisht kampion, kur kanë mbetur edhe nëntë xhiro deri në fund të sezonit.

Liverpool (Photo by Clive Brunskill/Getty Images)

Megjithatë në Angli janë të sigurt se edhe nëse përfundon tani sezoni 2019/20, atëherë titulli do t’i takonte Liverpoolit.

Daily Mail ka raportuar se të gjitha skuadrat angleze janë të pajtimit që në rast se ndodh një gjë e tillë titulli t’i shkojë Liverpoolit pasi klubi i Jurgen Klopp e ka merituar plotësisht atë.

Liverpool momentalisht është 25 pikë para përcjellësit më të afër që është Manchester City, kur kanë mbetur edhe nëntë javë deri në përfundim.

Liverpool. (Photo by Clive Brunskill/Getty Images)

The Reds kanë pasur një sezon të jashtëzakonshëm pasi në 29 takimet e para kanë shënuar 27 fitore, kanë barazuar në një tjetër ndeshje dhe kanë pësuar vetëm një humbje.

Në rast se përfundon sezoni para kohe në Ligën Premier, atëherë Liverpoolit në Ligën e Kampionëve do t’i bashkohet Manchester City (nëse falet nga CAS), Leicester City dhe Chelsea, derisa Manchester United do të luante përsëri në Ligën e Evropës.

Ndërkohë nga elita e futbollit anglez do të largoheshin tri skuadrat Norwich City, Aston Villa dhe Bournemouth. /Telegrafi/

Exit mobile version