Një sasi shumë e vogël e uraniumit, është zbuluar brenda një pakoje që arriti në aeroportin Heathrow të Londrës gjatë muajit të kaluar.
Këtë e konfirmuar policia britanike, duke shtuar se nuk bëhet fjalë për kërcënim të drejtpërdrejtë ose kërcënim për shëndetin publik, transmeton Telegrafi.
“Sasia e materialit radioaktiv, e zbuluar në një skanim rutinë më 29 dhjetor, ishte jashtëzakonisht e vogël dhe ekspertët vlerësuan se nuk përbënte kërcënim”, tha Richard Smith, kreu i komandës kundër terrorizmit të policisë së Londrës.
“Ndihemi të lehtësuar kur kuptojmë se nuk ka asnjë kërcënim për shëndetin publik të banorëve apo sigurinë e tyre”, shtoi Smith.
“Kishte një sasi shumë të vogël të materialit të kontaminuar në dërgesë. Tani jemi duke kryer hetime të mëtejshme”, theksoi Smith duke pranuar se operacioni i kontrollit të paketave në aeroport po funksiononte ashtu siç duhej.
Deri më tani nuk ka të arrestuar lidhur me këtë sasi të uraniumit, ndërsa The Sun që ishte media e parë që raportoi për këtë, pretendon se pakoja kishte ardhur nga Pakistani dhe se në Britani kishte arritur me aeroplanin që u ngrit nga Omani. /Telegrafi/