Deri më tani nga coronavirusi kanë humbur jetën më shumë se 3.387 persona, shumica prej tyre në Kinë, kurse në botë janë evidentuar në total 97.852 persona të prekur me coronavirus, kurse infeksioni është duke u zgjeruar në 85 vende të botës, shkruan CNN.
Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhano, ka paralajmëruar qeveritë se zgjerimi i coronavirusit “nuk është ushtrim” dhe se është e nevojshme të ndërmerren masat adekuate për të parandaluar zgjerimin e epidemisë, transmeton Telegrafi.
Adhan ka bërë apel në momente kur numri i të infektuarve në botë i është afruar shifrës 100 mijë, kurse tendenca e zgjerimit nuk po ndalet në Korenë e Jugut, Japoni, disa vende evropiane, Iran dhe SHBA.
Ai dje paralajmëroi se edhe pse ekipet shëndetësore në botë kanë kapacitetet të ballafaqohen me coronavirusin, në disa vende vullneti politik nuk është në proporcion me rrezikun real.
Ai ka konstatuar se numri i të infektuarve me COVID-19 në Kinë është stabilizuar, megjithatë sipas tij “ky ngadalësim i zgjerimit të epidemisë do të duhej të survejohej me kujdes të madh”.
Nga coronavirusi kanë humbur jetën 3.387 persona, kurse në total janë infektuar 97.852. Infeksioni është zgjeruar në 85 vende të botës. Nga ky virus janë shëruar 55.641 persona. /Telegrafi/