Site icon Telegrafi

Në 24 orë, tetë persona humbin jetën në aksidente

Policia e Kosovës, duke e vërejtur këtë numër të aksidenteve brenda 24 orëve, u bënë thirrje të gjithë qytetarëve të cilët qarkullojnë në rrugë me ose pa automjete, të kenë kujdes dhe të tregohen të vëmendshëm në zbatimin e normave të sjelljes të sanksionuara me ligjin për sigurinë e komunikacionit rrugor.

“Më 25.7.2011 rreth orës 03:15 në rrugën Prishtinë-Gjakovë, pikërisht në vendin ‘Lug Bunar’ ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet ku kanë humbur jetën pesë persona. Në aksident janë përfshirë një autobus ‘Setra’ dhe automjetit i tipit ‘Mercedes’ që të dy me targa vendore. Deri te aksidenti ka ardhur kur ngasësi i autobusit ishte duke qarkulluar nga drejtimi i Prishtinës në drejtim të Gjakovës dhe me të arritur në vendin ‘Lug Bunar’ kalon i tëri në anën e majtë të rrugës dhe e godet automjetin ‘Mercedes’, …thuhet në njoftim.

Një aksident i tillë ka ndodhur edhe më 24.07.2011 në ora 19:25 në hyrje të fshatit Krushë e Madhe Rahovec. Në këtë aksident trafiku kanë humbur jetën dy persona.

Një tjetër aksident ka ndodhur në rrugën “Zahir Pajaziti” në Prizren më 24.07.2011, në ora 13:00, ku e dyshuara femër k/shqiptare me veturën e saj ka goditur një mashkull, i cili nga lëndimet e rënda ka ndërruar jetë. E dyshuara me urdhër të Prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pa jetë dërgohet për obduksion.

“Apelojmë edhe tek bashkatdhetarët tanë qe këto ditë po qëndrojnë në Kosovë të respektojnë rregullat e komunikacionit rrugore ne vende dhe të vozisin konform kushteve dhe infrastrukturës rrugore të Kosovës pasi qe bazuar ne statistikat e policisë ne disa raste janë të përfshirë edhe vetura me targa të shteteve të huaja qe voziten nga bashkatdhetarët tanë”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Sipas Policisë, Njësitet e trafikut dhe Njësitet patrulluese do të rrisin masat e gjobitjes, dhe kjo sipas tyre nënkupton që nuk do të ketë kurrfarë tolerimi për kundërvajtësit të cilët nuk i respektojnë rregullat konform ligjit për siguri në komunikacionin rrugor. /Telegrafi/

 

Exit mobile version