Ish-shefi i misionit të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, William Walker do të vijë në Kosovë javën tjetër, për të përkujtuar 21 vjetorin e masakrës së Reçakut.
Miku i madh i Kosovës, i cili dëshmoi para botës për masakrën që u krye nga forcat serbe më 15 janar 1999, do të jetë këtu Walker vjen në Kosovë për 21 vjetorin e shënimiot të masakrës së Reçakut me ftesën e ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.
Këtë e ka bërë të ditur këshiltari i Ministrit të Punëve të Jashtme, Jetlir Zyberaj, përmes një postimi në Facebook.
“Javën tjetër është 21 vjetori i masakrës së Reçakut. Është kjo një nga krimet më të rënda kundër njerëzimit në vitet 90 të kryera nga Serbia. Ishte Ambasadori William Walker ai që i deshmoj para botës këtë krim dhe parandaloi fshehjen nga forcat serbe.
Disa javë më parë Aleksander Vucic mohoi masakrën e Reçakut dhe sulmoi ambasadorin Walker.
Kur të gjithë reaguan ndaj politikës së mohimit, askush nuk doli në mbrojtje të Ambasadorit Walker dhe punës së tij. Puna e tij atëherë është kujtimi i Reçakut sot.
Me ftesën e zëvendëskryeministrit/ministrit të jashtëm, Z.Behgjet Pacolli, Z. Walker si çdo vit po kthehet për të respektuar viktimat e Reçakut dhe për t’i treguar Serbisë dhe Vuçiçit krimet e tyre”, ka shkruar ai.
Të përkujtojmë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë dhjetorit të vitit që shkoi, tha se sa i përket masakrës së Reçakut më 1999 “bëhet fjalë për një krim të trilluar dhe se gjithçka ishte trillim i një mashtruesi, siç është William Walker”.
Në Reçak, më 1999 ishin vrarë 45 civilë shqiptarë nga forcat paramilitare serbe. Kjo ngjarje ishte cilësuar “krim kundër njerëzimit” nga ish – shefi i Misionit Verifikues në Kosovë, ambasadori William Walker.
Masakra e Reçakut, njihet si një nga ngjarjet që ka shënuar kthesë në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën, duke u paraprirë proceseve që çuan te fushata e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë. /Telegrafi/