Komuna e Rahovecit, në 21-vjetorin e çlirimit, ka bërë vendosjen e pllakave në shtëpitë bazë të UÇK-së. Një e tillë është vendosur edhe në Fortesë të kësaj komune, te shtëpia e familjes Fetoshi, apo siç njihen si nipërit e veprimtarit të çështjes kombëtare Ukshin Hotit.
Pllaka që shënon se ajo shtëpi ka qenë bazë ilegale e organizimit çlirimtar dhe bazë e UÇK-së, për kryetarin e Rahovecit Smajl Latifi, tregon kontributin e familjes Fetoshi ndër vite.
“Ka qenë bazë e organizimit ilegal çlirimtar dhe bazë e luftës së UÇK-së. Më kujtohet edhe sa kemi qenë në Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës ku kanë qenë edhe plot të tjerë që kanë qenë të organizuar. Kjo ka shërbyer edhe për njerëzit, të cilët janë marrë konkretisht me veprime organizative, politike që i ka bërë Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës. Kjo ka qenë edhe bazë e organizimit të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Kjo ka qenë shtëpi në të cilën kanë qarkulluar njerëz të rëndësishëm për atë periudhë. Këtu është edhe baza ose shtëpia ku ka ardhur edhe profesori, politologu, ideologu Ukshin Hoti, prandaj është bazë e organizimit ilegal çlirimtar…Kjo është familje e nderuar, që edhe pas viteve të 90 dhe në vitet ‘98, ‘99 e ka luajtur rolin dhe e ka peshën e veçantë edhe në organizimet e mëvonshme”, tha ai, transmeton KP.
Ndërsa, për rëndësinë që ka pasur shtëpia e familjes Fetoshi, foli edhe Durmish Gashi, nga OVL e UÇK-së në Rahovec.
“Nga kjo shtëpi e nipave të Ukshin Hotit në vitin 91 ka dalë i madhi Ukshin Hoti e i cili e ka mbajtur fjalimin e famshëm në varrimin e Ilmi Sejdi Popajt, ku me atë rast për herë të parë ka kërkuar edhe formimin e ushtrisë së Kosovës, e cila kulmoi më pas me daljen e familjes së famshme Jashari, me sakrificën e tyre familjare për të vazhduar pastaj me daljen publike të UÇK-së në Drenoc të Rahovecit, si dhe në të gjitha trojet tona shqiptare”, tha ai.
Të nderuar që në 21-vjetorin e çlirimit të Rahovecit shënohet me pllakë shtëpia e tyre si bazë e UÇK-së shprehet Arben Fetoshi. Ai tha se një shënim i tillë memorizon të kaluarën e lavdishme.
“Jemi shumë të nderuar sot në vlerësimin që Komuna e Rahovecit dhe organizata e veteranëve të luftës së UÇK-së na e bënë me shënimin nëpërmjet kësaj pllake të një historie, e cila memorizon të kaluarën tonë të lavdishme, sepse historia na mëson që vetëm duke e kujtuar të kaluarën ne mund të ecim sigurt drejt së ardhmes… Në këtë shtëpi gjatë luftës ka ndodhur një moment i rëndësishëm që ka të bëjë me themelimin e shtabit lokal të UÇK-së në zonën tonë këtu”, tha ai.
21-vjetorin e çlirimit, Komuna e Rahovecit e ka shënuar duke bërë homazhe te të gjitha varrezat e dëshmorëve, si dhe ka mbajtur një seancë solemne të Kuvendit Komunal./Telegrafi/