Gjatë viti 2015 në Kosovë kanë vdekur 9 punëtorë në vendin e punës, ndërsa 45 punëtorë janë lënduar si pasojë e aksidenteve në vendin e punës dhe kushteve jo të mira të punës.
Këto të dhëna u bënë publike sot në një konferencë të organizuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Trupa Ekzekutive e Inspektoratit të Punës, në shënim të Ditës Ndërkombëtare për të Vdekurit në vendin e tyre të punës.
Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës në Kosovë, Basri Ibrahimi tha se në Kosovë ende nuk ka një opinion të gjallë në lidhje me sigurinë dhe shëndetin në punë. Ai konsideroi se siguria dhe shëndeti në punë është më i rëndësishëm se sa ligji i punës.
Zëvendësinspektori Agim Millaku, tha se numri i aksidenteve në vendin e punës në Kosovë po pëson rënie çdo vit. Ai, shtoi se sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës në çdo 15 sekonda në botë humb jetën një punëtorë në vendin e tij të punës. /Telegrafi/