Me rastin e 20-vjetorit të rënies së dëshmorit Artim Jashari, sot në Mitrovicë u mbajt Akademi Përkujtimore, ku morën pjesë përfaqësues institucionalë, shoqata të dala nga lufta, familjarë, bashkëluftëtarë si dhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve.
Në këtë akademi u tha mes tjerash se dëshmorët do të jetojnë gjithmonë, pasi falë luftës së tyre populli i Kosovës gëzon sot lirinë.
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri gjatë fjalës së tij tha se I gjithë spektri politik pavarësisht përkatësisë partiake duhet që bashkërisht ta çojnë Kosovën përpara.
“Ftoj spektrin politikë që t’i bashkëngjiten vullnetit të këtyre njerëzve që bashkërisht ta çojmë Kosovën përpara. Jemi krenar që falë gjakut të dëshmorëve të cilët dhanë kontributin maksimal të tyre bashkë me bashkësinë ndërkombëtare ne jetojmë të lirë”, tha ai, raporton Telegrafi.
Kryetari Bahtiri u shpreh poashtu se institucionet e Kosovës kanë borxh dhe obligim që asnjëherë mos t’i harrojnë dëshmorët që kontribuuan për këtë vend.
“Ne nuk i harrojmë as familjarët që bijtë e tyre dhanë kontributin që ne gëzojmë sot. Artimi ishte djalë i zoti, djalë i familjes Jashari dhe cdo njeri duhet t’i përkulet kësaj familje, pasi është familje me peshë dhe do të mbetet e tille me mijëra vite. Si institucione i kemi borxh dhe obligim që këta njerëz mos t’i harrojmë kurrë”, theksoi Bahtiri.
Edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës OVLUCK-së, Hysni Gucati tha se lufta e Kosovës i ktheu kombit shqiptar krenarinë.
Sipas tij, duhet punuar me gjeneratat e reja për t’u shpjeguar atyre rreth luftës heroike të UCK-së.
“Nuk do të mjaftonte vetëm përkujtimi dhe pllaka përkujtimore por duhet t’ju shpjegojmë gjeneratave të reja për luftën heroike të tyre”, potencoi Gucati.
Në emër të familjarëve foli edhe djali i Artim Jasharit, Endrit Jashari, i cili tha se Artimi ka rënë për të mos vdekur kurrë.
“Një vit të jetës time e kam kaluar me babin tim dhe nuk kam arritur të frymëzohem gjatë, sepse sakrifica e tij për lirinë e vendit na ndau nga kjo jetë. Artimi ka rënë për të mos vdekur kurrë, dhe ne brezat e ardhme do të punojmë që porosinë e tyre ta çojmë në vend”, tha Jashari.
Ndërsa, vëllai i dëshmorit, Kastriot Jashari tregoi se javën e ardhshme së bashku me OVL UCK-së do të fillojnë procedurat për ta shpallur hero të kombit, dëshmorin Artim Jashari, nga presidenti i vendit. /Telegrafi/