Duke nderuar kujtimin për dëshmorët e kombit Afrim Hajrizi dhe Sami Gashi, ne të gjallët i shpallim luftë harresës, armikes më të madhe të individit dhe popujve.
Kështu u tha sot në Mitrovicë, gjatë akademisë përkujtimore me rastin e 20- vjetorit të rënies së dëshmorëve të kombit, Afrim Hajrizi dhe Sami Gashi, që u organizua nën përkujdesjen e kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli.
Të pranishëm në këtë ngjarje, përveç familjarëve, ishin edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, ministra, deputetë, drejtues të institucioneve, përfaqësues të FSK-së, policisë, organizatave të dala nga lufta, bashkëluftëtarë të dëshmorëve, si dhe qytetarë të shumtë.
Zëvendëskryeministri Hoxhaj tha se vepra dhe sakrifica e dëshmorëve Afrim Hajrizi dhe Sami Gashi, janë shembulli më i mirë për rrugën e gjatë të popullit të Kosovës drejt lirisë. Sipas tij, lufta e UÇK-së ka ndryshuar jo vetëm historinë e popullit shqiptar, por edhe historinë e botës në përgjithësi.
“20 janari është ngjarje e veçantë për Mitrovicën, për Kosovën, por edhe për kombin shqiptar që bukës i thonë bukë e ujit ujë… Është një ditë e cila ka të bëjë me themelet e lirisë tonë…Vepra dhe sakrifica e dëshmorëve Afrim Hajrizi dhe Sami Gashi, është shembulli më I mirë, simboli dhe dëshira më e mirë për ta kuptuar rrugën e gjatë që ne kemi bërë në histori si popull drejt lirisë tonë…Shumë popuj në Evropë dhe Ballkan kanë bërë sakrificë drejt lirisë së tyre, por të rralla janë luftërat siç është ajo e UÇK-së, e cila jo vetëm që ndryshoi rrjedhën e historisë tonë, duke prodhuar një shtet të dytë shqiptar në Ballkan, por ka ndryshuar edhe historinë e borës”, ka thënë Hoxhaj.
Ndërkaq, kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, ka potencuar se luftëtarët e lirisë nuk luftuan për ndryshim të kufijve dhe ndarje të Mitrovicës.
“Çdo herë është krenari kur bëhemi bashkë për ata të cilët sakrifikuan jetën për këtë vend, sepse gjaku i tyre ka bërë që ne të jemi sot këtu ku jemi. Por sa jemi duke ia dalë, më duket që jo. Këta burra dhe shumë të tjerë, nuk luftuan për t’u ndarë Mitrovica, që sot të bisedohet për ndryshimin e kufijve”, tha Bahtiri.
Për kontributin gjatë luftë u ndanë mirënjohje për Enver Oruçi, Gani Lahu, Ismet Haxha, Bekim Shyti, Gani Gashi, Roland Bartetsko dhe Halit Barani.
Ndryshe, në nderim të dëshmorëve, gjatë ditës u bënë homazhe dhe u vendosën kurora me lule në varrezat e dëshmorëve në Shipol, u vu gurthemeli i lapidarit për 34 dëshmorët e rënë, si dhe afër stacionit të autobusëve në Mitrovicë zbulua pllaka përkujtimore e dëshmorit Afrim Hajrizi.