Site icon Telegrafi

Në 20-vjetorin e rënies kujtohet Agim Selmanaj

​Sot bëhen 20 vite nga rënia e heroit Agim Selmanaj në Qëndresë, ish-Ratish i Epërm.

Selmanaj u lind më 26 tetor të vitit 1978 në Gllogjan të Deçanit. Doli prej një vatre patriotike shumë të njohur në vazhdën e përpjekjeve të rezistencës kombëtare, vatër patriotike e njohur jo vetëm në Rekë e Malësi, por edhe anembanë trojeve etnike, prandaj edhe si familje ndiqej prej çdo pushtuesi.

Si luftëtar i orëve të para shquhet me vetëdisiplinë e me vendosmëri, prandaj me formimin e brigadave në Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit emërohet me detyrë në Brigadën 131 “Jusuf Gërvalla”, është zëvendëskomandant i Policisë Ushtarake, krah i djathtë i komandantit Daut Haradinaj e i Xhelal Hajdës- Tonit, dëshmor i kombit.

Që në hapat e parë të veprimtarisë operative hyri në elitën më emblematike që njihej si “Djemtë e Gllogjanit”; Ramush, Shkëlzen, Daut, Bujar e Himë Haradinaj, Idriz Balaj, Luan Nimanaj, Fatmir Nimanaj, Luan Qerimaj, Xhelal Hajda, Maliq Ndreca, Burim Mustafa, Lahi Ibrahimaj, Nazmi Ibrahimaj, Alush Agushi e shumë të tjerë.

Agimi kishte një gatishmëri të jashtëzakonshme për t’i prerë akset rrugore “për ta zënë xhaden e për ta ‘këputur telin, siç thuhet në Rekë e Malësi. Vepronte në magjistralen Gjakovë – Pejë e Gjakovë-Prishtinë por edhe në thellësi të arealeve që i mbanin nën kontroll forcat serbe.

Gjatë luftimeve nëpër fushëbetejat e Rosishtës (ish- Rostavicë) të Shaptejt, të Dashinocit e të Dujakës, Agim Selmanaj plagoset katër herë, por çdoherë gjen forcë për të qëndruar duke mos u larguar prej shokëve, sepse në çdo veprim ofansive defansiv mungesa e Agimit mund t’i dobësonte shokët.

Për nder të veprës së Selmanajt, sot kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përfaqësues nga qeveria qendrore dhe lokale, bashkëluftëtarë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta dhe qytetarë të tjerë bëjnë homazhe në Kompleksin e Dëshmorëve në Gllogjan.

Exit mobile version