Odisejada e gjetjes së liderit nuk ishte një tendencë për të gjetur njeriun e duhur sa për të gjetur njeriun se “kujt po i a ngulim”, të shohim se çka po i ndodhë atij e ne të hidhemi në skenë në moment të përshtatshëm. Kur të gjithë u treguan të mençur që të mos “ngulën”, në këtë kurth të shokëve të vet, u gjet ai që “u ngul” (Ibrahim Rugova) dhe më nuk u shkul nga ai vend derisa vdiq. Vetëm kështu mund të shpjegohet se si një intelektual i thellë e serioz (Ibrahim Rugova) u vu në ballë të një lëvizjeje të iniciuar nga intelektualë shumica jo fort seriozë.
20 vite histori nuk është pak për të reflektuar mbi të kaluarën, për të parë se sa jemi të përgatitur për të ardhmen. Por mëkati i historianëve është kur fshihet e vërteta pjesërisht ose tërësisht.
Vrojtuesit të kujdesshëm të deklaratave të themeluesve të LDK-së, të intervistuar kohëve të fundit, i bie në sy se sa e papërgatitur ka qenë shoqëria kosovare për shanset që po i ofronte historia 20 vite më parë.
Klasa politike e asaj kohe s’ishte askund. Ajo ishte thyer në 3 etapa. Më 1981 ishte thyer Mahmut Bakalli, kah fundi i viteve të tetëdhjeta edhe Fadil Hoxha, dhe më në fund edhe Azem Vllasi. Elitë financiare nuk mund të kishte si vend komunist, ndërsa krejt sytë ishin të kthyer nga elita kulturore.
Babai i elitës kulturore kosovare, Esad Mekuli i kishte përballuar me shumë sukses dallgët e fuqishme kundër çrrënjosjes që i kërcënohej kulturës shqiptare në ish-Jugosllavi. Por më 1989, Esad Mekuli ishte 73 vjeçar, dhe njeri që ishte brumosur me ideale komuniste që në rininë e vet. Ishte e tepërt të pritej që një njëri në moshë të tillë të merrte një rrol për kthese historike.
Kështu, brezi i mesëm i elitës kulturore u gjet tërësisht në mjegull. Duke parë se po rrënohej një sistem i tërë shoqëror, shumicës prej tyre i kruhej të bëjë diçka, por nuk e kishin as idenë e as vizionin se çfarë të bënin e as ua mbante të nisnin atë çfarë duhej nisur.
Njerëzit më të guximshëm (Adem Demaçi) tashmë veç ishin nëpër burgje, ndërsa shumica nga këta që kishin mbetur jashtë burgjeve ishin njëri më frikacak se tjetri. Odiseja e gjetjes së liderit nuk ishte një tendencë për të gjetur njeriun e duhur sa për të gjetur njeriun se “kujt po i a ngulim”, të shohim se çka po i ndodhë atij e ne të hidhemi në skenë në moment të përshtatshëm”.
Kur të gjithë u treguan të mençur që të mos “ngulën”, në këtë kurth të shokëve të vet, u gjet ai që “u ngul” (Ibrahim Rugova) dhe më nuk u shkul nga ai vend derisa vdiq. Vetëm kështu mund të shpjegohet se si një intelektual i thellë e serioz (Ibrahim Rugova) u vu në ballë të një lëvizjeje të iniciuar nga intelektualë shumica jo fort seriozë.
Është e habitshme se në gjithë këto evokime kujtimesh asnjëri nga këta nuk përmend një fakt shumë të rëndësishëm: diskutimin e autorit të këtyre rreshtave në Konferencën e 23-të Krahinore të Rinisë së Kosovës në vjeshtë të vitit 1989. Si student, delegat i Universitetit të Prishtinës unë pata bërë një diskutim i cili shkaktoi një revolucion të vërtetë në lirinë e të shprehurit në Kosovë.
Diskutimi ishte ky:
“Këtë vit po kremtohet 200 vjetori i Revulucionit Francez dhe gati kudo në Evropë po riaktualizohet çështja e të drejtave dhe lirive të njeriut. Në vendet më të qytetëruara të Bllokut të Lindjes kanë filluar lëvizjet të cilat po synojnë riafirmimin e këtyre vlerave. Siç duket, vetëm ne në Kosovë po vendnumërojmë.
Para kësaj Konference të XXIII të Rinisë së Kosovës, u mbajt Konferenca XV e Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, e cila nuk u muar me asgjë tjetër pos me marrëdhëniet ndërnacionale në Kosovë ku u thanë gjëra të vjetra të thëna e të stërthëna me miliona herë. Këtu në këtë Konferencë, në raportin e kryetarit flitet për gabimet, lëshimet dhe diletantizmin politik të udhëheqësisë së mëparshme. Natyrisht, në raportin e kryetarit nuk thuhet se, me po këto gjëra dhe me po këtë diletantizëm, u ballafaquam edhe gjatë udhëheqjes së tij. Në fakt, këtu po ndërrohen vetëm njerëzit por jo edhe metodat e punës, të cilat kanë mbetur njëlloj me ato të pasluftës së Dytë Botërore edhe tani në shekullin e kompjuterizmit.
Kot i ndërrojmë udhëheqësit nëse nuk ndërrojmë metodat e punës. Dua ta them hapur dhe qartë se ky sistem, për mendimin tim u tregua tërësisht i dështuar. Shoqërisë sonë i duhet konkurrenca e ideve, gjë e cila nuk mund të bëhet pa diversitet pikëpamjesh e idesh. Unë jam për tejkalim kualitativ të problemeve që përmenda më parë. Kjo gjë nuk mund të bëhet pa reformim radikal jo vetëm të organizatës sonë rinore por edhe të vet sistemit tonë shoqëror.
Më konkretisht, unë propozoj: Konstituimin e shtetit juridik, heqjen e monopolit të Lidhjes së Komunistëve dhe krijimin e sistemit shumëpartiak, lirimin e të burgosurve politikë, zgjedhjet e lira, zgjedhjen me referendum të kryetarit të Kosovës, mosmiratiminin e programit të asnjë mandatori të Këshillit ekzekutiv të Kosovës po që se programi ekologjik nuk është pjesë e këtij programi mandator, si dhe gjëra të tjera që lidhen me këto çështje.
Diçka të ngjashme pata propozuar edhe dy vjet më parë, më 1987, kur isha kryetar i Konferencës Universitare të Kosovës, por atëherë më patët akuzuar se po dua ta bëjë sllovenizimin e Kosovës. Tani kjo akuzë duket qesharake sepse kanë nisur të "sllovenizohen" edhe republikat e tjera. E keqja qëndron aty se disa forca po tentojnë që Kosovën ta përjashtojnë nga këto procese duke deklaruar hapur se "pluralizmin edhe mund ta lejojmë në Jugosllavi, por jo në Kosovë".
Nga kjo del se, disa forca politike, Kosovën e duan si rezervat (laborator) për studime sociologjike. Kjo nuk mund të lejohet. Kosova ka më së shumti probleme dhe pikërisht Kosovës i nevojiten ide dhe programe për zgjidhjen e këtyre problemeve. Nëse pas sllovenëve, ideja për pluralizëm politik ka dalë pikërisht në Kosovë, atëherë kjo gjë duhet të pasohet edhe në veprime.
Shoqërisë sonë, po e them edhe njëherë, i duhet diversiteti. Ata që thonë se në një sistem shumëpartiak mund të vijnë në pushtet edhe forca që janë kundër barazisë kombëtare kanë të drejtë, por puna është se gjendja bëhet akoma më keq kur në një sistem njëpartiak janë në pushtet ata që janë kundër barazisë kombëtare siç ndodh sot në Serbi. Tek e fundit, sistemi shumëpartiak ndihmon edhe vet Lidhjen e Komunistëve, sepse secili anëtarësohet në partinë që e ka në zemër dhe jo sikur tani kur nuk dihet se kush kënd po e diferencon.
Natyrisht, pas këtij diskutimi pritej të më fusnin në burg. Kjo nuk ndodhi për arsyen më të thjeshtë, se në fund të diskutimit pothuaj të gjithë delegatët shqiptarë në sallën e Parlamentit të sotëm të Kosovës, më duartrokitën. Po t’më burgosnin mua duhej të burgosnin gjithë delegatët shqiptarë të Konferencës Krahinore të Lidhjes së Rinisë Socialiste.
Gazetarët u trimëruan. Diskutimi im zuri vend në gazeta më shumë se gjithë diskutimet e delegatëve tjerë. Të gjithë intelektualët e gazetarët që donin të tregonin simpati për pluralizmin nuk kishin guxim ta thonin si mendim të vetin por citonin diskutimin tim në Konferencë.
Kjo zgjati derisa muaj më pas u krijua KLMDNJ nga Prof.Dr.Zekiria Cana, UJDI nga Veton Surroi dhe në fund të dhjetorit LDK në krye me Dr.Ibrahim Rugovën.
Shumë veta më kanë shtruar pyetjen pse unë nuk u gjenda një prej themeluesve në asnjë prej këtyre organizatave? Përgjigja është e thjeshtë. Nga iniciativa ime trembeshin shumica e studentëve dhe intelektualëve me arsyetimin se ishte herët për këtë. Për më tepër, edhe kur filluan të shpurdhin intelektualët në këtë drejtim, diskutimi im kish qenë shumë i qartë dhe shumë i guximshëm sa ata kishin frikë nga pushteti t’më kishin pranë.
Këtë e dëshmon edhe biseda me Ibrahim Rugoven 3 muaj para se të formohej LDK. E pata takuar rastësisht në vendin ku sot gjendet përmendorja e Fehmi Aganit para Fakultetit Filozofik. I tregova për atë çfarë planifikoja të diskutoja në Konferencën Krahinore të Rinisë së Kosovës. Rugova më tha: “Mos fol se ende është herët për këtë e digjesh, të fusin në burg”. Kur unë ngulmova se do të flas e le të dalë ku të dal, më tha: “Të paktën thuaj pluralizëm e jo sistem shumëpartiak”. I thash po njësoj është: Pluralizëm do të thotë sistem shumëpartiak. “Ashtu është po atyre u tingëllon më vrazhdë sistemi shumëpartiak”.
Kjo më impresionoi tej mase, pasi me të deri më atëherë kishim biseduar vetëm biseda rreth letërsisë e kulturës, dhe aty e kuptova se Ibrahim Rugova po mendonte si unë, por ishte shumë më i matur se unë, dhe ishte i vetmi njeri tek i cili gjeta deri diku mirëkuptim. Megjithëkëtë, unë nuk e dëgjova këshillën e tij dhe n’Konferencë e thash troç: “sistem shumëpartiak” e jo “pluralizëm” siç më sugjeroi Ibrahim Rugova.
Kur pas tre muajsh u formua LDK, unë nuk u bëra anëtar i saj edhe pse e kisha çmuar lart Ibrahim Rugovën, të cilin e kisha e ftuar në të gjitha mbrëmjet letrare që organizoja në Universitetin e Prishtinës.
Le që nuk u bëra kurrë anëtar i saj, po madje isha kritiku i parë publik i saj. Sado që Ibrahim Rugova dhe LDK u bënë sinonime, në mendjen time nuk u bënë kurrë njësoj. Sado kritikat e mia drejtoheshin herë Ibrahim Rugovës herë LDK, asnjëherë nuk e kam vënë në pyetje rolin historik si të LDK-së si lëvizje, e sidomos të Rugovës si intelektual e lider. Edhe pse kritiku më i madh i Rugovë,s e kam mbështetur atë sa herë që rrezikohej lidershipi i tij.
Tani 20 vite pas kur shoh bashkëthemeluesit e LDK-së shoh rolin e Rugovës si lider unik në botë. Ishte origjinal, tolerant, i durueshëm, intelektual i thellë, që u jepte përshtypje joserioze në shikim të parë gjithë politikanëve që e vrojtonin ose takoheshin me të, por që pas një kohe e kuptonin seriozitetin e tij.
Ai e mbajti suksesshëm timonin deri në momentin kur i erdhi radha luftës. Kur amerikanët ia shkelën syrin që të fillonte luftën çlirimtare, ai ngurroi. Pati frikë që të merrte përgjegjësinë për një aventurë të tillë. E lufta gjithnjë është një aventurë. AutoritetiiI tij u rrënjos thellë në zemrat e shqiptarëve të Kosovës, sa ky autoritet nuk u venit as në momentet më të vështira të luftës. Kjo tregon se sa ka qenë njohës i thellë i mentalitetit kosovar.
Por me gjithë këtë LDK nuk ishte Ibrahim Rugova edhe pse, nëse jo në fillim, në vijim ajo ishte krijesë e tij. LDK ishin degët e nëndegët e saj që vepronin nën një filozofi uniforme politike sado me karaktere diametralisht të kundërta nga dega në degë, nga nëndega në nëndegë, ku fytyrat më shembullore për mua ishin prof. Latif Berisha (kryetar i degës së Mitrovicës) dhe Idriz Rrecaj (kryetar i degës së Skenderajt).
Është ironi e kohës që 20 vjetori i LDK-së e gjen atë më të shkatërruarën pikërisht në Mitrovicë e Skenderaj. Madje, për turp, këtyre qyteteve u mungojnë edhe përmendoret e tyre (Latif Berishës dhe Idriz Rrecajt).
Dy vitet e fundit LDK ka përjetuar një poshtërim të thellë; poshtërim nga partneri i koalicionit dhe nga lidershipi i vet, i cili nuk është në gjendje të merr vendime të prera.
Ç’është e vërteta, as vetë Ibrahim Rugova nuk ka marrë vendime të prera, por ai ka qenë i palëkundur në pozicionet e tij. Por pozicionin poshtërues të LDK ma ka shpjeguar më së miri një simpatizant i saj: “LDK-ja është si llastik që lakohet por nuk thyhet, atë nuk e theu dot Millosheviqi e nuk do ta thyejë dot as PDK-ja”.
Faksimili i gazetës "Rilindja"