Site icon Telegrafi

Në 145-vjetorin e lindjes firmëtarit të Pavarësisë së Shqipërisë, Spiridon Tasi Ilo

Më 30 shtator 1876, në Korçë lindi patrioti, firmëtari i Pavarësisë dhe këngëtari Spiridon Tasi Ilo.

Që në vogëli, Spiridon Ilo pati emigruar në Rumani, si shumë bashkëkohës të tij. Në vjeshtën e vitit 1912, kthehet në Shqipëri si përfaqësues i shqiptarëve të Rumanisë në Kuvendin e Vlorës.

Sipas dëshmive të familjarëve, flamurin e Pavarësisë që e ngriti Ismail Qemali në Vlorë më 28 nëntor, e patën dërguar shqiptarët e Rumanisë dhe vetë Spiridon Ilo e solli në Shqipëri, kurse Marigo Pozio i shtoi thekët dhe kreu disa ndryshime mbi të.

Më 1913 u rikthye në Rumani dhe prej andej, më 1916, emigroi në ShBA, ku hapi një kafene të vogël. Duke ndjekur pasionin e tij, muzikën, më 1923 themeloi kompaninë “Albanian Phonograph Records”. Qëllimi i Ilos ishte të realizonte regjistrime dhe të hidhte në qarkullim pllaka gramafoni me muzikë shqiptare.

Një nga punët e para ishte regjistrimi i parë i Himnit të Flamurit, me tekstin e poetit Asdreni, kënduar nga tenori arbëresh Giuseppe Mauro dhe vetë S. Ilo.

Më 1926 u kthye përfundimisht në Korçë, ku dhe ndërroi jetë më 1950.

 

 

 

Exit mobile version