Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, bashkë me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, dhe kryetarin e komunës së Shtimes, Naim Ismajli së bashku me ambasadorin William Walker, në 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës kanë bërë përurimin e palestrës sportive në Shtime.
Me këtë rast ministri Gashi tha se ndihet i lumtur që ka përfunduar një projekt kaq i rëndësishëm.
“Jam i lumtur që për një periudhë të shkurtë kemi arrit ta përmbyllim njërin nga projektet më të rëndësishme të sportit, projekt ky që ka kushtuar rreth dy milion e gjysmë euro”.
“Ky investim është nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit bashkë me komunën e Shtimes, e cila ka investuar në këtë objekt. Jemi zotur që brenda një periudhe të shkurtë ta përmbyllim këtë projekt të stërzgjatur po ashtu, ne tashmë kemi përmbyllë edhe projektin e stadiumit dhe jemi dakordu që Shtimes të ia ndërtojmë edhe qendrën rinore”.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që sot në këtë ditë festë për vendin tonë po e përurojmë palestrën sportive dhe më në fund po e realizojmë një ëndërr të kamotshme te të gjithë sportistëve e sportdashësve që edhe Shtimja të ketë infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve kulturore e sportive”.
“Sportistët tanë janë ambasadorët më të mirë të Kosovës, me sukseset e tyre të arritura në vend dhe ne arenën ndërkombëtare çdo here po na bëjnë krenar dhe ne si Ministri e Sportit jemi të përkushtuar ta mbështesim fuqishëm sportin në vendin tonë dhe do të jemi gjithmonë afër sportisteve dhe sportdashësve”, ka thënë ministri Gashi.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, u shpreh i kënaqur për përurimin e kësaj palestre sportive. Ai përgëzoi ministrin Gashi për punën e bërë.
“Falënderojmë Ministrinë për këtë investim të jashtëzakonshëm. Jam shumë i sigurt që Shtimja ka qenë kampion i lirisë e shumë shpejt do jetë kampion edhe në sport”.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Komunës së Shtimes, Naim Ismajli e falënderoi ministrin Gashi për bashkëpunimin e ngushtë dhe ndihmën që ofron për Komunën e Shtimes. “Kjo palestër për Shtimen është jashtëzakonisht e nevojshme dhe shumë e mirëpritur nga sportistet dhe qytetarët e kësaj komune”.
Ambasadori Walker tha se: “I ndjek lajmet për Kosovën që paraqiten në lajmet ndërkombëtare dhe zakonisht ka disa lajme të këqija. Medaljet e arta në xhudo, futbollistët kosovarë që luajnë në ekipe të famshme ndërkombëtare janë lajme të mira që vijnë shpesh nga Kosova edhe në sport e kulturë që ju e keni dëshmuar”.