Në 11 komuna të Kosovës është shtyrë afati i regjistrimit të popullsisë me kërkesë të tyre.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se me kërkesë të komunës së Dragashit, Prishtinës, Prizrenit, Drenasit, Fushë Kosovës, Skenderajt, Obiliqit, Ferizajt, Shtërpcës, Kaçanikut dhe Gjakovës ka miratuar vendimin për shtyrjen e afatit të procesit të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave deri më 24 maj 2024.
Sipas propozimit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, prej datës 18 deri më 24 maj 2024, regjistrimi/intervistat do të zhvillohen vetëm nga stafi i rregullt i Agjencisë së Statistikave të Kosovës i cili do të mbulojë tërë territorin e Kosovës për rastet kur identifikohet një individ apo ekonomi familjare që për çfarëdo arsye nuk mund të regjistroheshin më herët.
Ndërkaq, me propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës, regjistrimi i diasporës, përmes portalit eDiaspora shtyhet deri më datën 31 gusht 2024.
Për më shumë detaje, Agjencia e Statistikave të Kosovës do të dalë me një komunikatë dhe do të bëjë publik planin e veprimit për periudhën e regjistrimit shtesë nga data 18-24 maj, 2024.
Por, a do të ketë dënime për ata që nuk regjistrohen?
Udhëheqësja për komunikim me publikun në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), Hazbije Qeriqi ka treguar se çka ndodh me qytetarët që refuzojnë të regjistrohen si dhe për ata që ende nuk janë kontaktuar nga regjistruesit në terren.
Qeriqi tha se Ligji e parasheh që ata që refuzojnë të regjistrohen në regjistrimin e popullsisë do t’i prekë dënimi deri në 2 mijë euro për individ.
“Agjencia e Statistikave të Kosovës deri më tani është munduar që kjo mënyrë e kushtëzimit të qytetarëve të hiqet dhe të binden vetë qytetarët se regjistrimi i popullsisë është në interesin e tyre dhe është në të mirën publike. Prandaj, dhe ne jemi duke bërë përpjekje që të gjithë ata pak persona që kemi pas që kanë tentuar të refuzojnë, jemi munduar që gjatë këtyre ditëve t’i bindim që të gjithë të regjistrohen dhe të mos ketë pasoja, sepse pastaj nuk është më në dorën e Agjencisë Statistikave, por kalon kompetenca në organet e tjera institucionale”, u shpreh ajo. /Telegrafi/