Site icon Telegrafi

Në 11 komuna përfundon numërimi i votave për kandidatë – KQZ shpalos të dhënat e reja

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka dalë me të dhëna të reja sa i përket procesit të numërimit të votave për kandidatët për deputet.

Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ deri në përfundim të ditës së shtunë (15 shkurt 2025), janë numëruar 53.96% e vendvotimeve apo 1,367 nga gjithsej 2,533 vendvotime.

Procesi i numërimit po vazhdon në disa komuna, ndërkaq ka përfunduar në 11 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), të cilat ndodhen në komunat: Deçan, Kamenicë, Novobërdë, Obiliq, Shtërpcë, Junik, Hani i Elezit, Ranillug, Partesh, Kllokot, dhe Mitrovicë e Veriut.

Ndërkaq sot më 16 shkurt 2025, në orën 16:00, pritet të fillojë procesi i numërimit edhe në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat Leposaviq, Zveçan, dhe Zubin Potok.

Aktualisht, procesi i numërimit po vazhdon në gjithsej 24 Qendra Komunale të Numërimit.

KQZ njofton se do të vazhdojnë të ofrojnë informacione të reja në lidhje me progresin e numërimit të votave. /Telegrafi/

Exit mobile version