Site icon Telegrafi

Ndryshon parashikimi i ekspertëve për ekonominë amerikane

Shumica e ekonomistëve amerikanë presin që Shtetet e Bashkuara të përballen me një rënie ekonomike më vonë gjatë këtij viti, ndryshe nga nga një parashikim i mëparshëm i tyre. Kjo pasi një numër raportesh qeveritare kanë treguar për një ekonomi çuditërisht të fortë, pavarësisht normave të larta të interesit.

Pesëdhjetë e tetë për qind e 48 ekonomistëve që iu përgjigjën një ankete të Shoqatës Kombëtare për Ekonominë e Biznesit parashikojnë një rënie të ekonomisë gjatë këtij viti, një rezultat i ngjashëm me anketën e kryer në dhjetor. Por vetëm 25 për qind e tyre mendojnë se rënia ekonomike do të fillojë nga fundi i marsit, krahasuar me 50 për qind që mendonin se kështu, kur u pyetën në anketën e realizuar dhjetor.

Gjetjet, që pasqyrojnë rezultatet e një ankete me ekonomistë nga bizneset, shoqatat tregtare dhe akademia, u publikuan të hënën.

Një e treta e ekonomistëve që iu përgjigjën anketës tani presin që rënia e ekonomisë të fillojë në tremujorin prill-qershor, ndërsa një e pesta e tyre mendojnë se rënia ekonomike do të fillojë në tremujorin korrik-shtator.

Ndryshimi i parashikimeve të ekonomistëve mbi rënien ekonomike pason publikimin e një numri raportesh qeveritare që tregojnë se ekonomia amerikane është ende e fuqishme, pavarësisht rritjes nga Banka Qendrore të normave të interesit për të frenuar rritjen e inflacionit.

Në janar, punëdhënësit hapën më shumë se gjysmë milioni vende pune dhe shkalla e papunësisë arriti në 3.4 për qind, niveli më i ulët që nga viti 1969.

Shitjet në dyqanet me pakicë dhe restorantet u rritën me 3 për qind në janar, rritja më e madhe mujore në gati dy vjet. Kjo tregon se shpenzimet e konsumatorëve, motori kryesor i ekonomisë amerikane, janë të fuqishme, ata ende mendojnë së janë në gjendje të mirë financiare dhe janë të gatshëm të shpenzojnë.

Megjithatë, disa raporte të qeverisë treguan gjithashtu se inflacioni u rrit përsëri në janar pas rënies për disa muaj, duke nxitur frikën se Banka Qendrore mund të rrisë më tej normat e interesit. Rritja e normave të interesit zakonisht e rrit koston e huamarrjes për blerjen e shtëpive, makinave dhe huamarrjet me kartat e kreditit. Kjo shkakton edhe rritjen e normave të interesit për huatë e bizneseve.

Rritja e kostos së huamarrjes më pas mund të dobësojë ekonominë dhe madje mund të shkaktojë një rënie ekonomike. Një studim ekonomik i publikuar të premten zbuloi se Banka Qendrore nuk ka arritur kurrë të ulë inflacionin nga nivelet e larta që ka arritur kohët e fundit pa shkaktuar një rënie ekonomike. /VoA/

Exit mobile version