Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka filluar të pranojë aplikacionet e para të kosovarëve që kanë punuar në Zvicër, të cilët që nga 1 shtatori, do të mund t’i marrin pensionet e tyre pa qenë të obliguar të jetojnë në Zvicër.
Zyrtarët konfirmojnë se pensionet nuk do të merren në mënyrë retroaktive. Ata thonë se që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së re për pensionet zvicerane, deri më tani kanë aplikuar mbi 100 pensionistë.
Një qytetarë, rreth të 40-ve, po priste në radhë në barakat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, për të aplikuar për pensionim invalidor në Zvicër. Ndonëse nuk prezantohet, ai thotë se ka punuar dhe vepruar në Zvicër në një periudhë 5 vjeçare.
“Unë e kam pasur pensionin e Zvicrës deri në vitin 2010, na kanë ndërprerë duke thënë se Ligji nuk ka hy në fuqi. Kam qenë shumë keq i lënduar dhe prej mjekësisë kam qenë 99 për qind i vdekur. Kam punuar atje prej vitit 1994 deri diku 1999”, shprehet ky qytetarë.
Zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë për Radio Kosovën se që nga hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje, deri më tani, interesimi i palëve për të përfituar mbi këtë pension dhe që kanë aplikuar është mbi 100.
Bahri Xhaferi, nga Departamenti i Pensioneve, specifikon se pensionet janë të ndara në kategori, ndërsa thekson se nuk do të ketë pensione retroaktive për përfituesit. Xhaferi thotë se në bazë të vlerësimeve, presin mbi një mijë aplikime të përfituesve.
“Këtu do të jenë përfitues bartësit e pensioneve, vetë ata që kanë punuar, familjarët e tyre, do të jetë pensioni invalidor i punës. Autoritet zvicerane e kanë kundërshtuar prerazi, se nuk do të ketë pagesa retroaktive fare edhe pse janë ndërprerë që nga viti 2010. Kjo është një e keqe për ish- përfituesit, por kjo është një vendim i autoriteteve zvicerane dhe Kosova nuk mund të bëjë asgjë në këtë drejtim”, tha ai.
Xhaferi sqaron se ata persona që kanë bërë tërheqjen totale të pensioneve kohë më parë, nuk do të kenë mundësi të përfitojnë nga ky vendim i qeverisë zvicerane.
Nga viti 2010, kosovarët që kanë punuar dhe janë pensionuar në Zvicër nuk merrnin më pensione nëse ktheheshin në Kosovë, për arsye se qeveria federale pati anuluar marrëveshjen për sigurimet shoqërore me Zvicrën, vendim ky që pati krijuar pasiguri për mijëra pensionistë nga Kosova, edhe përkundër të drejtës së tyre legjitime për të marrë pension nga Zvicra. /Telegrafi/