Telegrafi

Ndryshojnë sërish çmimet e karburanteve në Shqipëri, ulet nafta dhe shtrenjtohet benzina

Pas një situate pezull prej gati tre javësh, Bordi i Transparencës në Shqipëri është mbledhur për dy ditë radhazi, duke ulur çmimin e naftës dhe duke rritur atë të benzinës.

Sipas vendimit të fundit të Bordit, një litër naftë do të tregtohet me 232 lekë [1.94 euro] , nga 236 lekë që ishte një ditë më parë dhe 240 lekë që ishte para se Bordi të bënte dy ndërhyrjet e menjëhershme.

Në të kundërt, tendenca e benzinës ka qenë në rritje. Pas orës 18.00 të ditës së sotme, benzina do të shitet me 212 lekë [1.78 euro] për litër, nga 208 që ishte vendimi i djeshëm.

Në tregjet ndërkombëtare, nafta tregtohet me rreth 94 dollarë për fuçi, në nivelet e shkurtit, përpara se të fillonte shtrenjtimi për shkak të problemeve me furnizim, që u shkaktuan nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës.

Në Shqipëri, niveli maksimal i naftës arriti në 265 lekë për litër, ndërsa në periudhën mars – nëntor, karburanti është tregtuar midis 230-240 lekë për litër, që është 20-30% më shtrenjtë se niveli i shkurtit. /Telegrafi/