Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka reaguar pas njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji ku në raportin e fundit konsultativ ka bërë shqyrtimin për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike.
Sipas këtij raporti, ZRRE propozon që tarifat e energjisë elektrike të ndryshohen në mënyrë që për konsumatorët biznesor të paguajnë 9 për qind më shumë.
Mirëpo Rukiqi thotë se nuk do të ketë ngritje të tarifave për bizneset, përcjell Telegrafi.
“Pas shumë pyetjeve nga bizneset, për çështjen e rritjes të tarifës së energjisë elektrike, një përgjigje e shkurtë: nuk pritet të ketë rritje të tarifës së energjisë elektrike, për kategorinë e bizneseve”, ka shkruar Rukiqi në profilin e tij në Facebook.
Rritje e çmimit të rrymës me të njëjtën përqindje është propozuar edhe për amvisëritë, të cilat konsiderohet se shpenzojnë deri në 600 kWh energji në muaj. Për këtë propozohet që aplikimi i tarifës prej 0.21 euro/kWh për energjinë e shpenzuar në kohën e tarifës së lartë gjatë ditës dhe 0.09 euro/kWh për energjinë e shpenzuar në tarifën e ulët gjatë natës. /Telegrafi/