Site icon Telegrafi

Ndryshimi i motit ka mbushur ambulacat në Maqedoni

Temperaturat e ulëta, të pazakonshme për këtë periudhë të vitit, kanë ndikuar në rritjen e numrit të pacientëve nëpër ambulanca. Mjekët thonë se në dhomat e pritjeve hasen pacientë me llojin e gripit A dhe B që karakterizohen me temperatura të larta, dhimbje të kyçeve dhe simptoma të infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes.

“Numri i infeksioneve akute nëpër klinikat amë është rritur dukshëm, ja edhe në ambulancën tonë, siç patët rastin ta shihni, dhomat e pritjes janë të mbushura. Ajo që për momentin është prezentë për fat të keq janë pacientët akoma pozitiv ndaj kovidit, që janë edhe me simptoma të rënda. Megjithatë akoma janë prezentë me grip A, dhe grip B që poashtu kanë temperatura të larta, dhimbje të kyçeve dhe prezentë janë edhe simptoma të infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes..”, tha Ankica Stanoevska, Mjeke Amë.

Qytetarët thonë se ndryshimi i shpeshtë i temperaturave ndikon që simptomat e gripit të kthehen madje edhe më shumë herë.

“Gjithmonë jam jashtë në ambient të hapur, kështu punoj….vazhdimisht jam në ambient të hapur 8-9 orë…. të ftohurat menjëherë më janë kthyer ”, tha një qytetare.

Më të moshuarit kanë më shumë kujdes, dëgjojnë rekomandimet e mjekëve dhe e menaxhojnë më mirë situatën në këtë periudhë.

“ Të gjitha injeksionet dhe vaksinat i kam pranuar, nuk kam as grip as asgjë”, u shpreh një qytetare tjetër.

“Të ju them unë mirë kujdesem, nuk kam pasur grip, me koronën mirë kam kaluar nuk e kam pasur aspak… Mirë po përballem, kur kujdeset njeriu është mirë”, shtoi një qytetare.

Sipas të dhënave të fundit të Institutit të Shëndetit Publik që i referohen javës së 13-të, të 2023-tës, deri më datë 2 prill, në territorin e gjithë vendit janë raportuar 277 raste të rë prekurve nga gripi dhe sëmundjet e ngjashme me gripin, që është për 2,5% më pak se një javë më parë, ndërsa krahasuar me javën e trembëdhjetë të sezonit të kaluar është dukshëm më i madh.

Sipas të dhënave të Institutit, në sezonin 2022/23 janë regjistruar 5 raste të vdekjes si pasojë e gripit, ndërsa numri i përgjithshëm i rasteve me grip dhe sëmundje të ngjashme me gripin është 10.2160 persona./Alsat.mk

Exit mobile version