Kthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë është një pikë kthese në historinë e zgjedhjeve amerikane. Këto zgjedhje nuk ishin thjesht riafirmim i tendencës së njerëzve anembanë botës që përqafuan ndryshimin në “supervitin zgjedhor” të vitit të kaluar. Bëhet fjalë për një president të ri me një mandat të qartë që me siguri do të sjellë ndryshime politikash, në përputhje me qasjen e tij transaksionale ndaj politikës, tregtisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Disa nga këto ndryshime mund të jenë përcaktuese për të ardhmen e projektit evropian në Ballkanin Perëndimor.
Emërimet në pozicionet kyçe tregojnë se Trumpi e sheh këtë triumf zgjedhor si një konfirmim të besimit të tij se populizmi për çështjet sociale, krijimi i vendeve të punës, siguria e kufijve, përfundimi i luftërave, tregtia dhe politika e jashtme nën moton “Amerika e para” është rruga përpara për vendin dhe një mënyrë për të dominuar sistemin e udhëhequr nga ShBA-ja, pa qenë peng i aleatëve tradicionalë dhe i disa angazhimeve. Të emëruarit e tij janë individë që besojnë në përdorimin selektiv të fuqisë amerikane. Në një farë mënyre, pozicioni i tyre thelbësor është se ata kujdesen vetëm për interesat amerikane dhe se të tjerët duhet të kujdesen vetëm për veten e tyre.
Zhvendosja e prioriteteve
Ndërkohë, konteksti gjeopolitik ka ndryshuar në mënyrë dramatike që nga presidenca e fundit e Trumpit, duke përfshirë dy frontet kryesore të luftës Rusi-Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, mungesën e një udhëheqjeje të fortë në nivel evropian, si rezultat i humbjeve dërrmuese zgjedhore të elitave kryesore në Gjermani dhe Francë, formimin e një aleance alternative – në vend të respektimit të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla – nga vendet me një gjeografi dhe popullsi të konsiderueshme, dhe një arkitekturë ndërkombëtare më komplekse dhe konkurruese.
Kështu, një re konfuzioni varet mbi të ardhmen e marrëdhënieve ShBA-Evropë. Administrata e Obamas shënoi fillimin e një ndryshimi në prioritetet strategjike të ShBA-së duke u zhvendosur nga Evropa drejt Azisë dhe Paqësorit. Kur u krijua NATO-ja, ShBA-ja kishte në përbërjen e saj shumë njerëz që vinin nga Evropa ose kishin qenë atje për shkak të Luftës së Dytë Botërore. Këtu u ushqye liberalizmi i Luftës së Ftohtë, duke formësuar ideologjinë që mbante të bashkuar aleancën.
Joe Biden do të mbahet mend si presidenti i fundit euroatlantik në Shtëpinë e Bardhë, me një botëkuptim të formësuar nga Lufta e Ftohtë. Ekipi i politikës së jashtme të Trumpit ka një botëkuptim krejtësisht të ndryshëm. Ata shohin Azinë si skenën qendrore. Ndërsa, Evropa nuk ka më të njëjtën rëndësi, qoftë strategjikisht apo kulturalisht. Kjo do të jetë një sfidë themelore për evropianët të cilët, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe rënia e Murit të Berlinit, e kanë konsideruar marrëdhënien e tyre me ShBA-në si një marrëdhënie të bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, me fokus në sigurinë kolektive, sundimin e së drejtës, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, dhe një sistem transparent dhe shumëpalësh të tregtisë së lirë.
Tri shtylla të rendit të tanishëm evropian janë sfiduar: zbutja e dallimit mes Evropës dhe ShBA-së, përmes krijimit të komunitetit euroatlantik; zbutja e dallimit mes çështjeve të brendshme dhe atyre të jashtme përmes politikës së thellimit të BE-së; zbutja e dallimit mes qendrës dhe periferisë, përmes politikës së zgjerimit dhe fqinjësisë. BE-ja duhet të riparojë shtyllat e mësipërme, prej të cilave, vetëm njëra ka të bëjë me bashkëpunimin e saj me ShBA-në, ndërsa dy të tjerat varen plotësisht nga vullneti i shteteve anëtare të BE-së.
Ballkani Perëndimor në një udhëkryq
Nga krizat me të cilat përballet Evropa, siguria është më e ngutshme. Trumpi ka premtuar t’i japë fund luftës së Rusisë në Ukrainë. Ndërsa ky është një objektiv i dëshirueshëm për të gjithë, perspektiva për një paqe të qëndrueshme ose armëpushim është e vogël. Prandaj, mbetet për t’u parë se si mund të arrihet ky objektiv, çfarë hapash do të ndërmerren dhe nëse do të ruhet apo jo bashkërendimi me aleatët evropianë. Dhe, mbi të gjitha, si do të jetë e ardhmja e Ukrainës.
Vështruar përmes prizmit dhe rrjetës së konflikteve të ngrira ose të papërfunduara në Evropë, mënyra se si do të përfundojë kjo luftë do të ketë një ndikim të pashmangshëm në arkitekturën e sigurisë së Evropës, duke përfshirë Ballkanin Perëndimor. Kjo do të ndryshojë edhe lojën e projektit të integrimit evropian. Dobësimi i marrëdhënieve euroatlantike nuk është një ogur i mirë për Ballkanin Perëndimor, ku ShBA-ja shihet si garantuese e perimetrit të sigurisë, ndërsa evropianët si alergjikë ndaj përdorimit të forcës. Kjo nënkupton nevojën për vigjilencë të shtuar për të fuqizuar kapacitetin shkurajues të trupave të KFOR-it në Kosovë dhe EUFOR-it në Bosnje-Hercegovinë, si dy pika kritike për sigurinë rajonale.
Gjatë administratës së parë Trumpit, në Ballkanin Perëndimor u lidhën dy marrëveshje kyçe: Marrëveshja e Prespës, për çështjen e emrit midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe Marrëveshja e Uashingtonit, për normalizimin ekonomik të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguroi në të njëjtën kohë njohjen e Kosovës nga Izraeli. Megjithëse marrëveshjet e sipërpërmendura ishin të rëndësishme për stabilitetin rajonal, BE-ja humbi mundësinë për të ankoruar vendet e rajonit në gjirin e saj. Edhe më shqetësues është dështimi i BE-së për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike dhe çështjet e shtetësisë në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovës, të cilat janë kyçe për përparimin rajonal. Në veçanti, politika e BE-së ndaj Kosovës është e fragmentuar, me 21 njohës, pesë mosnjohës dhe Hungarinë që ndjek politikën e saj. Kjo ndarje paralizon aftësinë e BE-së për të vepruar në mënyrë kohezive për zgjidhjen e konfliktit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe sigurimin e anëtarësimit të tyre në BE.
Ushtrimi i një gjeopolitike pa vlera nga ana e Perëndimit, si qetësues, në mungesë të procesit të anëtarësimit në BE për Ballkanin Perëndimor, u ka mundësuar udhëheqësve të rajonit të përkthejnë rivalitetet e shtuara gjeopolitike në avantazhe të pushtetit të tyre. Marrëveshjet transaksionale, qofshin të nxitura nga obsesioni i migracionit (Itali-Shqipëri), aksesi në burimet natyrore (Gjermani-Serbi) ose industria ushtarake (Francë-Serbi), janë disa shembuj që tregojnë se si BE-ja mund të “riformatohet” si rezultat i kompromiseve, në kurriz të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Ballkanin Perëndimor. Këto veprime minojnë kapacitetin e BE-së për t’u shfaqur si një aktor i bashkuar në Ballkanin Perëndimor, duke i bërë qytetarët të ndihen se nuk janë pjesë e familjes evropiane, por periferia e saj ku hidhen problemet.
Nuk ka asgjë më të keqe në politikë sesa të mbrosh status quo që nuk funksionon dhe që dështon të sigurojë demokraci dhe prosperitet. Ekziston një ndryshim i madh midis mbrojtjes së vlerave dhe mbrojtjes së status quo-së përmes stabilitetit të rrejshëm. Në këtë kontekst, kthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë duhet parë si një ndryshim i lojës për qartësimin e qëllimeve të përbashkëta dhe të së ardhmes së projektit evropian në Ballkanin Perëndimor.
“Ora e Evropës ka ardhur”, pati thënë me krenari ministri i punëve të Jashtme të Luksemburgut, Jacques Poos, në vitin 1991, teksa kryesonte në emër të BE-së përpjekjet për të gjetur zgjidhje për konfliktin që sapo kishte shpërthyer në ish-Jugosllavi. Në të vërtetë ishte vendosmëria e ShBA-së që ndaloi luftërat dhe siguroi paqen. Ka kaluar një çerek shekulli që nga përfundimi i luftërave në rajon dhe BE-ja ende nuk ka demonstruar aftësinë e saj për të ankoruar Ballkanin Perëndimor në BE. Ndryshimi i lojës në SHBA kërkon përshpejtimin e projektit evropian në Ballkanin Perëndimor. BE-ja duhet të përballet me këtë sfidë. /Artikull i botuar në revistën International Politics and Society/