Si gjithnjë para zgjedhjeve, partitë politike, në përputhje me parimin e sovranitetit të popullit, i prezantojnë para popullit kandidatët e tyre të cilët ata mendojnë se do të jenë bazë për të fituar apo arritur kapjen e pushtetit dhe udhëheqjen e vendit. Në këtë mënyrë ata zhvillojnë edhe fushatën parazgjedhore para se qytetarët e shtetit të mbikëqyru të Kosovës me anë të votës e cila shpreh vullnetin dhe mendimin e tyre të vendosin rreth përbërjes së ardhshme të kuvendit të Kosovës dhe institucioneve në përgjithësi. Por nga gjithë kjo çështja që duhet të na shqetësoj të gjithë është se demokracia pluraliste apo përfaqësuese është duke u goditur rëndë për faktin se vetëm në kohën e zgjedhjeve politikanët, respektivisht partitë politike e afrojnë tepër afër distancën e krijuar në mes tyre dhe qytetarëve. Kjo ndodhë sepse në këtë kohë rolin e fuqishëm në ngjitjen e tyre drejt shkallëve të pushtetit e ka populli dhe vullneti i tij i shprehur me anë të votës. Prandaj kur është në pyetje vota qytetari është në rend të parë ama vetëm në kohë zgjedhjesh, pastaj i gjithë ky vrull bie furishëm vetëm pasi të ngjiten në pushtet duke e konsideruar kështu popullin një vegël të rëndësishme vetëm për zgjedhjeve, por pastaj e parëndësishme për procese dhe plotësimit të nevojave dhe kërkesave të tyre për një të tashme dhe të ardhme të ndritshme.
Kështu që duke u nisur nga kjo, premtimet zgjedhore që po bëjnë partitë politike para opinionit, respektivisht popullit, janë vetëm një përpjekje egoiste për të zgjatur edhe më shumë edhe atë në dukshmëri të qartë pasionin politik të mbetjes në pushtet, por jo edhe për ndryshime rrënjësore të cilat çojnë drejtë rrugës së progresit dhe mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës. Prandaj premtimet në kohë zgjedhjesh janë një ndër elementet qendrore të partive politike të cilat i servojnë popullit mallin e tyre të programit politik, por që këto premtime të dhëna pa asnjë fakt konkret kanë rezultuar në shumë raste të jenë gënjeshtra të kulluara apo “ëndrra të bukura„ të cilat nuk janë realizuar kurrë, e që do të thotë se premtimet gjithnjë janë thyer, sidomos pas ngjitjes në pushtet kur edhe kanë harruar se ç’kanë premtuar para popullit. Siç dihet premtimet zgjedhore të partive politike janë kryekëput pjesë e platformës së tyre zgjedhore dhe politike, por nëse këto premtime nuk kanë bazë reale dhe nëse platforma nuk është e mbështetur ne ideale të qartë dhe të përgjithshme ato në njërën anë e dëmtojnë bazën e tyre duke krijuar kështu efektin antiparti të popullit ndërsa në anën tjetër shfaqin në tërësi mungesën e plotë të vizionit dhe zhveshjen e themeleve të atyre “idealeve” të rrejshme që kanë ndërtuar gjatë gjithë kohës.
Duke ditur se një numër i madh i premtimeve elektorale të dhëna nga partitë politike janë thyer atëherë premtimet e reja elektorale do të hasin në veshë të shurdhër sepse nga zhgënjimi i parë qytetarët do të heqin vëmendjen nga partitë e mëhershme që kanë “premtuar ura edhe aty ku nuk ka lumenj” dhe sigurisht se do të zhvendosin vëmendjen tek alternativat e reja të dala tanimë së fundi në këtë proces elektoral. Si gjithmonë rënia e besimit të popullit shoqërohet edhe me efektin e antiparti të cilat premtimet e dhënë para elektoratit nuk i kanë mbajtur dhe kjo rënie e shkallës së besimit shoqërohet edhe me mosinteresim ndaj partive gjë që e dobëson në një pikë të konsiderueshme frymën e demokracisë dhe mundësin e nxitjes së ndryshimeve apo më mirë të themi të gjetjes së rrënjëve për të nisur ndryshimet dhe zhvilluar progresin e gjithëmbarshëm në vend. Është tepër e dëmshme për frymën e demokracisë në vend që partitë politike të bëjnë premtime të ekzagjeruar, jo konkrete të cilat jo vetëm se do të humbnin votuesit dhe besimin e tyre, por edhe do e dëmtonin rëndë imazhin e tyre duke shpalosur një fytyrë të pasinqertë para popullit i cili pret ndryshime dhe mirëqenie të përgjithshme si dhe integrim sa më të shpejtë në familjen evropiane. Por duhet të preket realiteti ashtu që partitë politike premtimet e tyre t’i mbështesin mbi fakte konkrete, sepse populli tani duhet të mësohet dhe besoj s është vetëdijesuar që të bëjë dallimin dhe të zgjedhë atë që ai mendon se do e përfaqësoj vullnetin e tij dhe do t’i përmbush kërkesat e tij, por edhe do të mbaj fjalën e dhënë për premtimet e bëra.
Populli dëshiron nga partitë që ato të jenë të sinqerta, jo ambicioze, jo interesante, jo zbavitëse, por të tregojnë mundësit e tyre se deri në ç’masë mund të premtojnë dhe të arrijnë të realizojnë në tërësi ato premtime të dhëna në elektorat. Partitë politike duhet të nxjerrin nga dëshira e popullit kërkesën dhe mundësit për të bërë premtime konkrete të cilat ngritin një ekonomi të fuqishme si dhe të cilat ndërtojnë një shtet të mundësive të mëdha, pastaj një shtet juridik e evropian ku qytetarët mund të sigurohen se e drejta e tyre është mbi të gjitha dhe se ligji vlen për të gjithë. Çdo premtim elektoral që bëhet pa një garanci të qartë, pa një datë të saktë të realizimit të tyre, pa një bazë të fuqishme, do ta dëmtonte jo vetëm partinë politike dhe imazhin e saj, por edhe demokracinë, besimin dhe vullnetin e popullit. Qëllimi i partive politike do të duhej të ishte që fjalët dhe premtimet t’i kthenin në vepra, por jo vetëm kaq, të jenë të afta edhe për situata të papritura, sepse në rast se premtojnë edhe gjërat gjatë procesit të udhëheqjes ndryshojnë, atëherë do të vihej në pikëpyetje baza e vënë më parë dhe normalisht se do lindte zemërimi tek votuesit të cilët lehtë mund të ndëshkojnë në zgjedhjet tjera të ardhshme kalendarike. Duhet nënvizuar në kuadër të kësaj se një ndër faktorët që përcaktojnë gjykimin e popullit respektivisht elektoratit në zgjedhje janë partitë politike të ndershme, të sinqerta, kompetente, me ideologji dhe vizion të qartë tek të cilat populli lehtë do mund të zbulonte se a do mund apo jo premtimet elektorale apo malli i tyre të realizohej dhe të bëhet një realitet për ndryshime të mëdha dhe progresive.
Me një fjalë tani është koha që partitë politike në vend se të “premtojnë”, siç thoshte Karl Popper, “parajsë në tokë, e që në fakt nuk prodhojnë asgjë, por një ferr”, do të ishte e udhës të punojnë fuqishëm dhe ndershmërisht në zhvillimin e vendit, përmirësimin e mirëqenies sociale ekonomike, forcimin e shtetit, futjen e demokracisë në themelet e shtetit si dhe përgatitjes së rrugës në proceset e integrimit sa më të shpejt të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës në familjen e saj evropiane. Po ashtu premtimet e nxehta elektorale nga partitë politike nuk janë asgjë më shumë dhe nuk kanë si qëllim ndryshime rrënjësore, zhvillim dhe progres të vendit, por një tregues se vera e ardhshme do të jetë më e ftohtë dhe më e thatë në të gjitha aspektet. Sepse përderisa suksesi i politikanëve po tregohet i plotë vetëm në kohë zgjedhjesh dhe kjo deri sa të marrin pushtetin, pastaj ky sukses sigurisht se do të shndërrohet në vetëkënaqje dhe vazhdim të avazit të një qeverisje të keqe e që do të ishte katastrofale për të tashmen dhe të ardhmen e vendit në proceset e tij në vijim. Prandaj partitë politike duhet të jenë më të ngadalshëm në dhënien e premtimeve elektorale, sepse siç shkruante filozofi politik Rusoi “ata që janë më të ngadalshëm në dhënien e një premtimi janë më besnik në punët e tyre”, le të shërbej kjo si një porosi për të gjitha partitë politike. Duhet ditur dhe nënvizuar gjithashtu se vendi ka nevojë për ndryshime të mëdha dhe progresive, në zënien e hapit të kohës, dhe ky ndryshim sigurisht se është në duar të popullit, populli duhet të vendos për ndryshimet dhe ardhmërinë e vendit si dhe rrugës sa më të shpjet të integrimit në strukturat euroatlantike.