Aktorja australiane, Nicole Kidman, e ka ndërruar shumë dukjen e saj për nevojat e filmit të zhanrit krim-triller, “Destroyer”, në të cilën luan rolin e një detektiveje të lodhur dhe të rraskapitur, me një histori të dhimbshme.
Fituesja e çmimit Oscar i ka ndryshuar flokët dhe pamjen për ta portretizuar protagonisten Erin Bell, të cilën e ndjek e kaluara pas infiltrimit në një grup kriminal në kuadër të një operacioni të fshehtë.
“Jam vënë plotësisht në pozitën e karakterit që e luaj”, ka thënë Kidman.
Kam ndier vuajtjen dhe dhimbjen e Erin Bell. Mendoj se në këtë karakter ndodhet zemërim shumë më i madh në krahasim me çfarëdo karakteri femëror që kam parë në ekran”, ka shtuar ajo.
Vlen të theksohet se ndryshimet drastike në dukjen e saj nuk janë të panjohura për aktoren 51-vjeçare.
Edhe për rolin e feministes Virginia Woolf në filmin “The Hours”, ajo e kishte ndryshuar shumë dukjen e saj, ndërsa për atë rol arriti ta fitonte edhe çmimin Oscar.
Kritikët e kanë lavdëruar paraqitjen e Nicole në “Destroyer”, ndërsa konsiderojnë se ajo vjen krejt ndryshe në këtë rol – transmeton Reuters.
Karyn Kusama e ka bërë regjinë e “Destroyer”, me skenar të Phil Hay dhe Matt Manfredi, ndërsa krahas Kidman, luajnë edhe Toby Kebbell, Tatiana Maslany, Bradley Whitford e Sebastian Stan.
Premiera botërore e filmit është dhënë në Festivalin Telluride më 31 gusht të këtij viti, ndërsa shfaqja nëpër kinema do të fillojë më 25 dhjetor 2018. /Telegrafi/