Telegrafi

Ndryshimet themelore të masave anti-Covid që kanë hyrë në fuqi nga sot, përmes infografikëve

Nga mëngjesi i ditës së sotme në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-Covid.

Ministria e Shëndetësisë ka prezantuar pesë ndryshimet themelore të këtyre masave përmes infografiqeve.

1.Bartja e maskës

Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative, në të gjitha rastet përveç:

Gjatë ecjes vetëm në ambient të jashtëm; Gjatë ngasjes së automjetit vetëm apo në grup me jo më shumë se katër (4) persona; Gjatë vrapit, çiklimit dhe ushtrimeve fizike; Gjatë ngrënies apo pijes.

2.Gastronomia

Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me udhëzuesin përkatës. Lejohen deri në pesëdhjetë (50) klientë për 100m2 (5 persona për 10 m2).

Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.

Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në ora 23:00.

Muzika lejohet deri në ora 22:45.

3.Kufizimet e kontaktit 

Nga ora 00:00 deri në orën 05:00, ndalohet grumbullimi i më shumë se dhjetë (10) personave.

4.Rregullimi i tavolinave në gastronomi

Në hapësirat e jashtme lejohen deri në gjashtë (6) persona në tavolinë, banak apo në tavolina në këmbë.

Çdo tavolinë duhet të jetë e pajisur me dezinfektues që përmbajnë së paku 60-70% alkool.

Duhet të vendosen udhëzuesit në hapësirat e jashtme të lokaleve lidhur me informimin e klientëve për protokollin e masave  kundër COVID-19, i cili publikohet në uebfaqen e Ministrisë së Shëndetësisë.

5.Distanca në lokale

Përgjegjësit e lokaleve duhet të sigurohen që klientët të mbajnë një (1) metër distancë nga klientët në tavolina të ndryshme.

Pjesa e prapme e një karrige, me pjesën e prapme të karriges tjetër duhet të jetë një (1) metër distancë.

Në hapësirat e brendshme lejohen deri në 4 persona në tavolinë. Në rast se tavolinat janë me të mëdha se dy (2) metra, atëherë parakusht është që të shfrytëzohet hapësira duke pasur parasysh kapacitetin prej pesë (5) persona në 10 m2.

Në hapësirat e brendshme lejohet shërbimi i ushqimit dhe pijeve vetëm për mysafirët që janë të ulur ose duke qëndruar në këmbë në një tavolinë ose në banak./Telegrafi/