Profesori universitar, Vlladimir Pivovarov thekson se ndërrimet në MPB kanë qenë të pritura pas emërimit të Oliver Spasovskit në këtë detyrë. Sipas tij, kjo është rezultat i të ashtuquajturave “bomba” të opozitës, ku mund të dëgjohet se si MPB-ja përshkruhet si shtab i OBRM-PDUKM-së, njoftohet nga tv21.
“Nëse nuk i ndërroni personat të cilët në mënyrë eklatante kanë marrë pjese në krim gjatë procesit zgjedhor, kurse sipas këtij parimi kanë funksionuar strukturat udhëheqëse të MPB-së deri në ardhjen e Spasovskit në krye të kësaj ministrie. Nuk ka pasur arsye të hyni në atë qeveri teknike dhe të bëheni vëzhgues memec”, tha ai.
Sipas Pivovarovit gjatë viteve të fundit në MPB, kamerierët, kuzhinierët dhe sekretaret janë avancuar në pozita të larta, duke i keqpërdorur kështu ndryshimet e Ligjit për avancim në karrierë. Njëherazi ai drejtoi akuza edhe ndaj Sindikatës së Policisë, se nuk ka reaguar për këto keqpërdorime.
“Kjo garniturë e cila tani i prinë MPB-së, 10 vite nuk lejonte që Sindikata e pavarur të funksionojë në kuadër të MPB-së, ashtu siç e paracakton Ligji për marrëdhënie pune”, tha Goce Dellçev Todev.
Ndërkaq, profesori universitar, Stojan Sllavevski thotë se hartimi dhe miratimi i Ligjeve ashtu siç i konvenon individëve dhe pakujdesia për pasojat në të ardhmen janë arsyet për fraksionet e këtilla në MPB. Sipas tij, sistemi i emërimeve për ministra dhe zëvendësministra nga një parti tjetër, realisht nuk funksionoi.
“Unë nuk besoj se këso zgjidhje do të funksionojnë në të ardhmen. Neve na duhet një person-ministër, i cili do të vijë, ashtu siç është paraparë në Marrëveshjen e Përzhinos, por njëkohësisht duke i pasur të gjitha kompetencat, gjegjësisht të mund të emërojë, komandojë dhe shkarkojë dhe me të gjitha kompetencat tjera që duhet t’i ketë një ministër”, tha Sllavevski.
Përndryshe, të gjithë pjesëmarrësit në debat u pajtuan se në MPB nuk duhet të ketë politikë, por vetëm profesionalizëm. /Telegrafi/