Telegrafi

Ndryshimet ligjore që u pajtuan nga partitë politike pritet të votohen deri në fund të javës

Përfaqësuesit e katër partive nënshkruese të Marrëveshjes “Përzhino” pas bisedimeve që kanë zgjatur pesë orë në parim kanë arritur marrëveshje rreth ndryshimeve të Ligjit për Qeveri, Ligjit për punë të brendshme, për mediat dhe Kodin zgjedhor, të cilët miratuan më 20 korrik, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Grupet punuese kanë arritur pëlqim edhe për detajet në lidhje me trupin “ad hoc” i cili do të ndjek raportimin e mediave gjatë periudhës së fushatës zgjedhore.

Siç kanë deklaruar para gazetarëve përfaqësuesit e OBRM-PDUKM dhe LSDM, Radmilla Sheqerinska dhe Nikolla Todorov, ndryshimet pritet të miratohen deri në fund të kësaj jave.

Nëse deri në fund të javës deputetët miratojnë ndryshimet ligjore të pajtuara, atëherë institucionet do të fillojnë të zbatojnë marrëveshjen “Përzhino”, duke mundësuar kështu mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare deri në fund të vitit, më saktësisht më 11 dhjetor.

Sipas marrëveshjes, opozita duhet të propozojë kryeredaktorin e RTVM. Përmbushja e këtyre pikave të marrëveshjes i nënshtrohet një kontrolli përfundimtar në fund të gushtit, nga ana e liderëve të katër partive, prej se do të varet nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe në çfarë date./Telegrafi/

Lexo po ashtu Vazhdojnë bisedimet mes partive