Qeveria punon në një propozim konkret për të gjetur zgjidhje për zhbllokim të procesit të integrimit mirëpo nuk zbardh asnjë detaj nga përmbajtja. Ministri për çështje evropiane Orhan Murtezani sqaroi se nuk ka një zgjidhje pa ndryshimet kushtetuese por përpjekja që bëhet është që të mbrohet procesi pas ndryshimeve kushtetuese.
Murtezani thotë se ideja e ndryshimeve kushtetuese me zbatim të prolonguar nuk është hedhur poshtë por as nuk shihet me optimizëm nga Brukseli.
“Ai propozim nuk shihet me optimizëm të madh në Bruksel megjithatë as nuk hidhet poshtë tërësisht. Mendoj se duhet të mbetemi në gjetjen e zgjidhjes që do të jetë i pranueshëm edhe nga partnerët tanë strategjik. Punohet për gjetjen e zgjidhjeve të reja të cilat janë në fazë të bisedimeve të brendshme në qeveri. Sigurisht se deri tani nuk kemi propozim final por edhe po të kishim, nuk do ta publikonim para përfundimit të zgjedhjeve në Bullgari”, deklaroi Orhan Murtezani, ministër për çështje evropiane.
Kryeministri Hristijan Mickoski një ditë më parë për MTV deklaroi se përgatitet letër me ide për zgjidhje që do të niset në adresë të Brukselit. Ai tha se Bullgaria duhet të vendosë nëse kërkon zgjidhje bilaterale me Shkupin ose nëse çështja duhet të zgjidhjet në nivel të BE-së.
“Të gjitha mjetet do t’i shfrytëzojmë që të arrijmë deri te qëllimi. Duhet ta përshkruajmë rrugën. Tani dëgjojmë porosi të ndryshme dhe kjo krijon pabesim dhe shqetësim. Nëse problemi është bilateral, në rregull, ta karakterizojmë si bilateral dhe kur të duan fqinjët tanë të ulemi në tavolinë. Nëse është multilateral, atëherë të ulemi me ata që mundet të ndihmojnë në këtë proces”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
E ndërkohë, koalicioni VLEN në qeveri rikujton kushtin për afatin gjashtëmujor për zgjidhje, sipas Murtezanit, mbeten edhe dy muaj kohë por nuk paragjykon se çfarë mund të ndodhë më tej.
“Gjatë bisedimeve për formimin e qeverisë, ne si koalicion VLEN kemi dhënë një afat 6-mujor brenda të cilit qeveria duhet të dalë me propozim konkret për zgjidhje të problemit me ndryshimet kushtetuese. Tani jemi në muajin e katërt dhe pa skaduar ky afat nuk kemi pse e komentojmë”, tha Orhan Murtezani, ministër për çështje evropiane.
BE-ja ndau Maqedoninë e Veriut nga Shqipëria dhe kjo e fundit do të vazhdojë hapjen e kapitujve të negociatave. Vendi ngec, deri në zbatim të kushtit nga korniza negociuese, ndryshimet kushtetuese. /Alsat/