Site icon Telegrafi

Ndryshimet Kushtetuese, nevojë e kohës dhe funksionalitetit

Qasje teorike përkitazi me çështjen

Kushtetuta si akt në kuptimin bashkëkohorë është paraqitur shumë vonë, diku kah fundi i shekullit XVIII. Historikisht shkëndijat e para të këtij akti i gjejmë shumë më herët. Qysh në kohën e shtetit skllavopronarë janë nxjerrë akte të rëndësishme, që shikuar në kohën e sotme asocojnë me një kushtetutë. Në këtë aspekt vlen të veçojmë Kodin e Hamurabit dhe Ligjin e XII tabelave. Edhe më Greqinë dhe Romën e vjetër janë hasur termet Politea dhe Constitutio që përkthyer në gjuhen shqipe i bie Kushtetuta. Dokumenti i parë modern që mund të konsiderohet që i ka ngjasuar kushtetutave që i kemi sot është Instrumenti i Qeverisjes (The Instrument of Goverment) i vitit 1653 në Angli, apo siç është quajtur ndryshe Kushtetuta e Oliver Kromvellit. Me të njëjtin status mund të cilësohet edhe Statuti i San Marinos i vitit 1600, por që asnjëra nga këto dokumente nuk mund të definohen si kushtetuta në kuptimin e plotë të fjalës, sepse asnjëra nuk i ka poseduar elementet e një kushtetute të mirëfilltë.

Në kontinuitetin e zhvillimit historik të kushtetutave nuk duhet harruar edhe dokumentet si: Karta e Madhe e Lirive e vitit 1215, (Magna Charta Libertatum), Peticioni mbi të drejtat 1628, Ligji mbi të drejtat, 1688, (Bill of right), Habeas corpus act i vitit 1690 si dhe Deklarata e pavarësisë së SHBA-ve e vitit 1776. Të gjitha këto akte të përmendura më lartë në një formë apo formën tjetër janë të lidhura me zhvillimin e kushtetutës si akt me rëndësi për një shtet. Kushtetuta e SHBA-ve e vitit 1787 si dhe ato të Francës 1791, 1793, mund të konsiderohen si kushtetuta në kuptimin e plotë të fjalës, njëherësh edhe kushtetutat e para moderne në historinë e zhvillimit të tyre.

Rëndësia e kushtetutës për shtetin në shoqëritë bashkëkohore është e shumëfishtë. Siç vërehet edhe nga historiku i zhvillimit të kushtetutave, në periudha të ndryshme kohore, kushtetuta si akti më i lartë që është nuk e ka pasur rëndësinë e njëjtë, në periudha të caktuara ajo është ç’vlerësuar, sidomos në ato shoqëri ku primare ka qenë ideologjia, e jo liria, barazia dhe mirëqenia e njeriut etj. Kohë e tillë e ç’vlerësimit të kushtetutave mund të konsiderohet periudha e mesjetës, kur rolin kryesorë edhe në rregullimin shtetërorë e ka luajtur Kisha.

Në ditët e sotme të gjitha shtetet e botës, madje edhe ato ku sadopak frymon demokracia kanë kushtetutën e tyre si aktin më të lartë të rregullimit shtetërorë. Shikuar në aspektin praktik asnjë kushtetutë sado funksionale të jetë në një shtet përkatës, nuk është e përhershme dhe nuk mund të qëndrojë e njëjtë, ashtu si është shkruar në fillim. Janë rrethanat shoqërore ato të cilave duhet t’i përshtatet një kushtetutë në praktikë. Jeta shumë dinamike bënë që ç’do normë juridike çfarëdo qoftë ajo kushtetuese apo jo, duhet t’i përshtatet rrethanave shoqërore. Vetëm në këtë mënyrë mund të flasim për funksionalitet të një norme juridike, në këtë rast edhe të një kushtetute.

Sot jemi dëshmitarë të një dinamizmi të pashoq në kuptimin e zhvillimit të jetës, kësisoj ky dinamizëm ngërthen në vetë të gjitha dimensionet e shtetit përfshirë dhe kushtetutën. Franca si një shtet me traditë të theksuar kushtetuese deri më tani ka ndërruar disa kushtetuta si pasojë e ndërrimit të rrethanave shoqërore-politike. Njëra ndër kushtetutat që ka hyrë në histori përkitazi me atë se i ka mbijetuar rrethanave dhe kohës është ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). Në kontekstin e mbijetimit të kushtetutave karshi elementit kohë dhe rrethanë është i rëndësishëm procesi i ndryshimit të tyre. Vetëm procesi i ndryshimit të kushtetutës mund ta zgjasë jetën dhe funksionalitetin e një kushtetute. Përmes ndryshimeve kushtetuese shumë kushtetuta kanë siguruar jetëgjatësinë, dhe kështu janë bërë akte dinamike. Një epitet të tillë siç thamë edhe më lartë e mban kushtetuta e SHBA-ve që deri më tani ka 27 amendamente.

Disa kushtetuta, ndalonin ndryshimet!

Në teorinë e të drejtës kushtetuese është kultivuar njëfarë teorie e quajtur teoria liberale, që flet për “pandryshueshmërinë e sistemit shoqërorë-politik” e në këtë mënyrë edhe për “pa ndryshueshmërinë e kushtetutave”. Përkundër kësaj teoritë bashkëkohore flasin për nevojën e ndryshimeve kushtetuese në emër të funksionalitetit të tyre. Në praktikë ka pasur kushtetuta që tërësisht apo pjesërisht janë ndikuar nga teoria liberale për “pandryshueshmërinë e kushtetutave”, kësisoj kushtetuta e Spanjës e vitit 1812 dhe ajo e Greqisë e vitit 1911 e kanë ndaluar shprehimisht ndryshimin e tyre. Në anën tjetër karshi ndikimit të kësaj teorie kemi edhe një numër kushtetutash që shprehimisht e kanë ndaluar ndryshimin e disa dispozitave që konsideroheshin të rëndësishme në sistemin kushtetues që e rregullonin. P.sh. Kushtetuta e Norvegjisë 1814, kushtetuta e Francës 1875, e Italisë 1948, e Turqisë 1961, kushtetutat e Greqisë 1952, 1968, e Gjermanisë 1949, dhe ajo e Egjiptit 1930. Po ashtu ka pasur kushtetuta që e kanë ndaluar shprehimisht ndryshimin e tyre për një periudhë të caktuar, njëra prej tyre ka qenë e ajo SHBA-ve, që ndalonte ndryshimin e dispozitave që rregullojnë të drejtën e ardhjes së refugjatëve në këtë vend deri ne vitin 1808.

Kur flasim për procesin e ndryshimit të kushtetutave është me rëndësi të përmendim aktet me të cilat mund të bëhet ndryshimi i kushtetutës, të tilla janë: ligji kushtetues dhe amendamenti kushtetues. Ligji kushtetues përdoret për ndryshim të kushtetutës vetëm atëherë kur ka ndryshime të vëllimshme dhe përmbajtjesore të kushtetutave kurse amendamenti në rastet e ndryshimeve më të vogla. Zakonisht ndryshimet përmes ligjeve kushtetuese janë praktikuar në rastin e ndryshimeve rrënjësore të rrethanave shoqërore-politike, praktikisht këso ndryshimesh vëllimore kanë ndodhur në rastin e kalimit të vendeve post-komuniste në demokraci. Amendamentet kushtetuese si akte për ndryshime kushtetuese sot janë më të përdorshme dhe ndryshimet kushtetuese tanimë në praktikë bëhen përmes amendamenteve. Këtë e përforcon fakti se edhe në teori procesi i ndryshimit të kushtetutës quhet proces i amandamentimit të kushtetutës.

Përfundimisht amandamentimi (ndryshimi) e bën kushtetutën akt më dinamik, të përshtatshëm ndaj rrethanave shoqërore dhe funksional, si i tillë procesi i amandamentimit duhet të trajtohet si proces historik shikuar për nga rëndësia e tij.

Rasti i Kosovës

Republika e Kosovës si një ndër shtetet më të reja në botë tani po përballet për herë të parë me procesin e ndryshimit të kushtetutës. Në përgjithësi vendet në tranzicion në të cilët bënë pjesë edhe Kosova në fillim demonstrojnë jo stabilitet në kuptimin e funksionimit të kushtetutës. Një gjë e tillë ishte parë edhe në Shqipëri pas kalimit nga sistemi socialist në atë demokratik. Në këtë kontekst ende pa kaluar mirë tre vite nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së Republikës së Kosovës është dashur të përballohemi me procesin e parë të ndryshimit të saj. Kjo për shkak të krizave institucionale që përjetoj vendi në rastin e dy presidentëve (Sejdiu e Pacolli) të cilët u kontestuan nga institucioni që ka për detyrë mbrojtjen e kushtetutës në vendin tonë Gjykata Kushtetuese, dhe të njëjtat raste u transmetuan si shkelje kushtetuese nga i njëjti institucion.

Se sa një norme, çfarëdo kategorie qoftë ajo është funksionale tregon vetëm përballja e saj me realitetin, apo sendërtimi i saj në praktikë. Pikërisht dy sfida serioze që i përmendëm më lartë të kushtetutës së Republikës së Kosovës në praktikë bënë që ajo të përballet me sfidat e ndryshimit, për të qenë sa më funksionale në kuptimin e mos prodhimit të krizave të caktuara. Krahasimisht ndoshta një përballim kaq i shpejtë i Kosovës me ndryshimet e para të kushtetutës mund të lidhet edhe me mënyrën e vetë krijimit të shtetit të Kosovës. Dihet se krijimi i shtetit të Kosovës, por edhe kushtetuta si element shumë me rëndësi në këtë aspekt është bërë nën margjinat e Planit të Ahtisaarit, plan ky që ka përcaktuar jo vetëm konturat e shtetit, por edhe ato të Kushtetutës së Kosovës. Pikërisht këtu konsiderohet burimi i një përballje kaq të shpejtë me ndryshimet.

Plani Ahtisaari në raport me Kushtetutën e Kosovës që nga fillimi i procesit të bërjes së saj kishte vënë margjinat në kuadër të të cilave duhej të vepronin kushtetutëvënësit tanë (Amerikanët i kanë quajtur baballarët e kombit, ata që kanë shkruar kushtetutën amerikane). Duhet pranuar që Kushtetuta e Republikës së Kosovës në kurriz të zgjedhjes së statusit përfundimtarë është bërë pjesë e kalkulimeve politike për status dhe si e tillë duke ju përmbajtur kornizave të Planit Ahtisaari ka marrë epitetin e një “kushtetute te dhuruar” ashtu siç njihen edhe në teori ato kushtetuta që rrjedhin nga një marrëveshje apo propozim ndërkombëtarë.

Shikuar si dokument në tërësi Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton një shtet të së drejtës, të bazuar në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, sundimit të ligjit, mosdiskriminimit, të drejtës së pronës, drejtësisë sociale, pluralizmit, ndarjes së pushtetit shtetërorë etj. Pavarësisht kësaj nevoja e funksionalitetit shikuar edhe nga mënyra se si ka ardhur deri te bërja e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, një kohë prej tri vjetësh mbijetesë karshi ndryshimeve mund të konsiderohet optimale.

Çka duhet ndryshuar?!

Tanimë kushtetuta e Republikës së Kosovës ka nevojë për ndryshime substanciale, ka nevojë për ndryshmin e shumë dimensioneve, sidomos ato që lidhen me Planin e Ahtisaarit, po aq sa ka nevojë për ndryshimin e dispozitave për zgjedhjen e presidentit dhe dispozitave të tjera zgjedhore, që janë treguar jo funksionale në praktikë. Shikuar në kontekstin e ndryshimeve, situatat politike të krijuara me presidentët që quan në iniciativën për ndryshime në lidhje me këtë institucion, mund të quhen si shkas dhe njëherësh edhe si rast i duhur që të bëhen edhe ndryshimet e tjera, me të cilat mos tani kushtetuta e Republikës së Kosovës do të duhej të përballohej brenda një kohe shumë të shkurtë.

Së këndejmi Kosova brenda një periudhe relativisht të shkurtër do të përballej me: Ndryshimin e dispozitave që e mbajnë kushtetutën e atë nën Planin e Ahtisaarit konform nenit 143 të saj, dispozitave tranziconale që janë të inkorporuara në kapitullin e fundit të Kushtetutës, në kuadër të të cilave përmendet edhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtarë si personifikim i pavarësisë së mbikëqyrur etj. Tashmë gati 95% të dispozitave të Planit Ahtisaari veç janë implementuar, implementimi i tyre do të thotë pikërisht edhe fund i pavarësisë së mbikëqyrur.

Pikërisht ky implementim i theksuar i Planit Ahtisaari përveç ndryshimeve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës që kanë të bëjnë me Presidentin dhe zgjedhjet, imponon nevojën që të ndryshohen edhe dispozitat tranzicionale që lidhen direkt me këtë plan. Duke e ditur që ndryshimet kushtetuese janë procese që marrin kohë dhe që nuk mund të ndodhin shpesh në një shoqëri demokratike, duhet shfrytëzuar rasti që ndryshimet të zgjerohen dhe Plani Ahtisari të arkivohet për faktin që është implementuar një pjesë e madhe e tij. Në këtë mënyre duke i bërë këto ndryshime mendojmë që Kushtetuta e Republikës së Kosovës do të futet në binaret e funksionalizimit afatgjatë, dhe në këtë mënyrë të lirohet nga kthetrat e një dokumenti siç është Plani Ahtisaari që në njëfarë forme deri tani e ka lënë nën hije jo vetëm kushtetutën, por edhe shumë segmente të tjera të ndërtimit të shtetit.

Tanimë komisioni për amandamentimin (ndryshimin) e kushtetutës është themeluar dhe ka filluar punën e tij. Do të ishte jetike që në kuadër të punës së këtij komisioni të jetësohej zgjerimi i ndryshimeve kushtetuese, në kuptimin e asaj që përpos ndryshimit të dispozitave për presidentin dhe për zgjedhjet të ndryshohen edhe dispozitat që do t’i jepnin fund disa segmenteve dhe kufizimeve të panevojshme që ka instaluar Plani Ahtisaari. Kjo përfundimisht në emër të qëndrueshmërisë ndaj rrethanave dhe funksionalitetit afatgjatë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si imperativ i faktorit kohë.

Si përfundim janë disa arsye të forta se përse nuk duhet të kufizohemi vetëm me ndryshimet e dispozitave që kanë të bëjnë me presidentin dhe zgjedhjet, por ky ndryshim të zgjerohet në segmente që lidhen me Planin Ahtisaari:

E para, implementimi i pjesës me të madhe të Planit Ahtisaari, siç e thamë edhe më lartë, do të thotë fund i pavarësisë së mbikëqyrur, pasi që kohëzgjatja e saj lidhet direkt me implementimin e tij dhe logjikisht një pjesë e mbetur për implementimin e këtij plani mund të bëhet edhe pa prezencën civile ndërkombëtare.

E dyta Prezenca Civile Ndërkombëtare që personifikon pavarësinë e mbikëqyrur nuk ka treguar ndonjë efikasitet të madh, kësisoj nuk ka mundur t’i qaset në implementim Planit Ahtisaari në tërë territorin e Kosovës.

E treta, në tri vite të ekzistimit të shtetit, Kosova ka demonstruar mjaft shumë pjekurinë e saj për të mbajtur dhe ndërtuar shtetin para faktorit ndërkombëtarë, kësisoj më tutje duhet të hapen shtigjet që të ecet përpara pa faktorin dhe mbikëqyrjen ndërkombëtare.

E katërta Zgjatja edhe më e mbikëqyrjes ndërkombëtare do të prodhojë efekte jo të mira sidomos në dimensionin ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës.

E pesta një ndryshim i dispozitave Kushtetuese, sidomos ato që lidhen me pavarësinë e mbikëqyrur, do të bënte me funksional shtetin dhe njëherësh edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

E gjashta, për faktin që këto segmente për të cilët folëm, mund të ndryshohen vetëm përmes amandamentimit (ndryshimit) të Kushtetutës, duhet pasur parasysh që kjo të ndodhë tani, një shtyrje e këtyre ndryshimeve do të thoshte pranim edhe për një kohë të mbikëqyrjes ndërkombëtare, sepse proceset e ndryshimit të kushtetutave nuk ndodhin dhe nuk duhet të ndodhin shpesh në praktikë.

(Autori është master i shkencave Kushtetuese-Administrative të Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës)

Exit mobile version