Pa bletë nuk ka të ardhme. Ato e mbështesin biodiversitetin si pjalmues kryesorë, përgjegjëse për pjalmimin e 80 përqind të të gjithë jetës bimore në planetin tonë. Një koloni bletësh prej 50.000 bletësh mund të pjalmojë katër miliardë bimë në vit, shkruan Meta. Për fat të keq ato nuk kursehen e as nuk janë imune ndaj ndryshimeve klimatike, të cilat përmes oscilimeve të temperaturave, thatësirave dhe përmbytjeve ushtrojnë një presion të jashtëzakonshëm ndaj mbijetesës së tyre. Ato çrregullojnë furnizimin e tyre me ushqim, i bëjnë ata më të prekshme ndaj grabitqarëve dhe sëmundjeve dhe shkatërrojnë habitatet e tyre. Si rezultat i kësaj, popullsia e bletëve në mbarë botën po zvogëlohet dhe kjo ka një ndikim serioz ndaj procesit të pjalmimit, i cili është qenësor për prodhimin e pjesës më të madhe të ushqimit që ne e konsumojmë.
Ndryshimet klimatike me gjasë do të bëhen një nga shkaqet më të rëndësishme të humbjes së biodiversitetit deri në fund të shekullit, thotë Elena Fidanoska nga Macedonian honey. Ajo dhe bashkëshorti i saj Ognjen janë prodhues shumëvjeçarë të mjaltit dhe pronarë të kosheres intovative “Elle Hive”. Elena thotë se ndryshimet klimatike i detyrojnë llojet e ndryshme biologjike tu përshtaten kushteve të reja, të ndryshojnë habitatet, ciklin e jetës ose të zhvillojnë tipare të reja fizike.
“Ndryshimet klimatike ndikojnë që bimët të lulëzojnë më herët ose më vonë se zakonisht, gjë që mund të çrregullojë kohën e pjalmimit. Bletët që janë të ekspozuara ndaj temperaturave ekstreme, si valët e të nxehtit ose të ftohtit, kanë më shumë gjasa që të ngordhin. Bletët që janë nën stres ose të dobësuara nga ndryshimet klimatike janë më të ndjeshme ndaj keqbërësve dhe sëmundjeve. Një koloni e dobësuar e bletëve nuk do të jetë në gjendje të kërkojë ushqim me aq efikasitet, gjë që çon në zvogëlimin e prodhimit të mjaltit dhe uljen e pjalmimit”, thotë Fidanoska.
Biodiversiteti është një nga faktorët më të rëndësishëm në përshtatjen dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike. Tokat dhe pyjet mbajnë rezerva të mëdha karboni, kështu që mënyra se si ato do të përdoren dhe do të menaxhohen do të ndikojë në sasinë e karbonit të lëshuar në atmosferë.
Studimet tregojnë se zonat ku ka një diversitet të llojeve biologjike kanë më shumë gjasa të përshtaten me ndryshimet klimatike sesa zonat e varfëra. Studimet që kanë të bëjnë me qëndrueshmërinë afatgjatë të specieve shtazore tregojnë se aty ku ka diversitet të lartë gjenetik të bimëve, aftësia e kafshëve për të qëndruar në atë zonë rritet shumë.
“Ndryshimet klimatike mund të shkaktojnë zhdukjen e habitateve të bletëve, sepse bimët dhe lulet në të cilat ato mbështeten mund të mos jenë më në gjendje të mbijetojnë në shtrirjen e tyre aktuale në një mjedis të ndryshueshëm. Kjo shkakton humbjen e ushqimit dhe vendeve për ngritjen natyrale të foleve të bletëve”, thekson Fidanoska.
Në Evropë rreth katër nga pesë bimë të kultivuara dhe të egra varen nga pjalmimi që e bëjnë mijëra lloje insektesh. Përfitimet e pjalmuesve për ekonominë janë veçanërisht të dukshme në prodhimin e ushqimit, sepse sipas të dhënave të Komisionit Evropian, pjalmimi kontribuon në prodhimin bujqësor të Bashkimit Evropian me rreth pesë miliardë euro në vit.
Analizat tregojnë se një në dhjetë lloje bletësh rrezikohet nga zhdukja, por shifrat mund të jenë edhe më të këqija, sepse në Evropë për më shumë se gjysmën e llojeve të bletëve ka mungesë të të dhënave që do të mundësonin vlerësimin e statusit ose tendencave të tyre. Si rezultat i kësaj në vitin 2018 BE-ja miratoi Iniciativën e saj të parë për Pjalmuesit, e cila plotësoi masat ekzistuese, veçanërisht Direktivat për Zogjtë dhe Habitatet, legjislacionin e BE-së për pesticidet, Politikën e Përbashkët Bujqësore (PPB), politikën e kohezionit dhe politikën e kërkimit dhe risive.
Sëmundjet tropikale që në të kaluarën sulmonin vetëm bletët në Azinë Juglindore tashmë janë të pranishme edhe në vendin tonë. Shkak për këtë janë ndryshimet e temperaturave, sasia e reshjeve dhe sedimenteve ujore të shkaktuara nga ndryshimet klimatike. Zinxhiri i biodiversitetit në natyrë është i lidhur dhe këputet aty ku është më i hollë, thotë bletari Bllagojçe Najdovski. Ai thekson se ndryshimet klimatike po dëmtojnë rëndë shëndetin e bletëve dhe pothuajse nuk ka pothuajse asnjë pasojë klimatike që nuk ndikon te këto insekte.
“Ndryshimet e temperaturave shkaktojnë stres termik te bimët, gjë që rezulton në stres nutritiv te bletët. Ato nuk marrin mjaftueshëm proteina përmes polenit, ndërsa kjo mund të shihet përmes ndjeshmërisë së tyre ndaj sëmundjeve, vdekjes dhe prodhimit të ulët të mjaltit”, thotë Najdovski.
Bletarët janë të një mendimi se bletët kanë nevojë për ndihmë për të mbijetuar dhe thonë se çdokush mund ta bëjë këtë, pa dallim nëse është bletar apo jo. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet bletës së mjaltit duke mbjellë bimë mjalti në oborre, në ballkone, duke i mbrojtur habitatet e bletëve, duke ruajtur diversitetin biologjik të hapësirës ose duke reduktuar përdorimin e pesticideve dhe helmeve në natyrë.
Bletarët këshillojnë që për mbijetesën e bletëve mund të ndihmojë edhe nëse fermerët mbështesin praktika më të qëndrueshme bujqësore, nëse ndryshohen sistemet dhe metodat e bletarisë dhe nëse edukohet popullata. Në të kundërtën, ne do lejojmë që ata të vazhdojnë të ngordhin, gjë që do të thotë edhe prishje e ekuilibrit në natyrë dhe më pak ushqim për njerëzit.