Site icon Telegrafi

Ndryshime në Kupat Evropiane, Kosova me një skuadër në Ligën Evropiane dhe tri skuadra në Kupën Evropiane

Ndonëse hendbolli evropian është pezulluar për shkak të pandemisë së koronavirusit, Federata Evropiane e Hendbollit ka nisur përgatitjet për edicionin e ardhshëm, 2020\2021.

Janë bërë ndryshime në kupat evropiane për hendbollistë, që vlejnë pikërisht prej edicionit të ardhshëm.

EHF-ja ka arritur marrëveshje për të drejtat televizive me “Infront & DAZN” që është e vlefshme prej edicionit tjetër.

Janë ndërruar edhe emrat e garave evropiane. VELUX EHF Champions League do të quhet ende EHF Champions League. Niveli i dytë evropian, EHF Cup (Kupa e EHF-së) do të quhet EHF European League (Liga Evropiane). Ndërsa niveli i tretë i kupave evropiane për hendbollistë më nuk do të njihet si Challenge Cup (Kupa Sfiduese), por si EHF European Cup (Kupa Evropiane).

Federatës sonë i takon një vend në Ligën Evropiane, ku do të paraqitet kampioni. Ndërsa tri vende na takojnë në Kupën Evropiane.

Në Ligën Evropiane do të luhen dy raunde kualifikuese e më pas faza grupore. Synimet janë që kampioni ynë të arrijë në fazën grupore. EHF-ja nuk ka saktësuar ende se prej cilës fazë do të nisë garimin kampioni i Kosovës. Vetëm ndeshjet e raundit të parë kualifikues do të luhen në fundjavë. Prej raundit të dytë kualifikues ndeshjet e Ligës Evropiane do të luhen të marteve.

Ndeshjet e Kupës Evropiane, ku Kosova e ka të drejtën e paraqitjes me tri skuadra, do të vazhdojnë të luhen në fundjavë.

Rangimi i vendeve nga EHF-ja është bërë në bazë të rezultateve të skuadrave në Kupat Evropiane në edicionet e fundit. Kosova në rangim ka lënë shumë vende të regjionit prapa.

Exit mobile version