Site icon Telegrafi

“Ndryshim kufijsh dhe shkëmbime territoriale Kosovë-Serbi”: Greqia vëzhgon… neutrale!

Ilustrim

Aleksandros Mallias

Serbia, Republika e Kosovës dhe Shqipëria duket se po gjejnë gjuhën e përbashkët, duke siguruar përmes negociatave në konsensus e klimë mirëkuptimi, shkëmbimin e territoreve dhe ndryshimin e kufijve aktualë. Në një vlerësim paraprak, duket se bëhet fjalë për një ekuilibër të ri me dy të fituar (win-win).

Por, cili është objekti i transaksionit/shkëmbimit? Me pak fjalë, territori i Mitrovicës veriore, domethënë në veri të lumit Ibër, zonë e banuar ekskluzivisht nga serbët, që sot është territor i Kosovës, do t’i kalojë plotësisht Serbisë sovrane. Si shpërblim, Republika e Kosovës do të përfitojë përfshirjen e Luginës së Preshevës në territorin e saj sovran, që ndodhet në Serbinë Jugore e që banohet në përqindjen më të lartë nga shqiptarë.

Diskutimet kanë ecur shumë më thellë se sa lejojnë udhëheqësit përkatës të bëhet e ditur. Në këtë fazë të gjitha palët zotërojnë mbështetjen dhe inkurajimin e hapur, edhe pse në prapaskenë, të faktorit ndërkombëtar. Bëhet fjalë për një iniciativë pa asnjë dyshim tepër të rëndësishme dhe që shkakton rast precedent serioz, si për Serbinë ashtu dhe për vende të tjera ballkanike, ku gjenden të tilla kompakte etnike të minoriteteve/komuniteteve, të përqendruara në një zonë gjeografike të caktuar.

Një tjetër fakt i sigurt është edhe se kjo marrëveshje për shkëmbimin territorial, kur dhe nëse zyrtarizohet, do të përbëjë një dokument ligjor të dy shteteve sovrane dhe jo një pakt të Serbisë me një ish-krahinë që është ndarë, siç konsideron Kosovën, të paktën deri kohët e fundit.

Kështu, përveç njohjes indirekte de facto-siç mund të interpretoj situatën e krijuar nga Marrëveshjet e rëndësishme e të njëpasnjëshme përmes Serbisë e Republikës së Kosovës pas Shkurtit 2012- Serbia, për hir të interesit kombëtar, me realizëm tregohet e gatshme të hedhë hapin tjetër. Nuk e di si do konsiderohet nga Serbia ky hap.

Gjithsesi, kjo sipërmarrje e guximshme duket se ndeshet me disa kundërshtime si në Serbi ashtu edhe në Shqipëri. Tepër karakteristik është pozicionimi negativ i liderit historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha. E megjithatë, shumica e politikanëve dhe diplomatëve aleatë të kryeministrit Edi Rama vlerësojnë se kjo perspektivë siguron stabilitet, paqe dhe bashkëpunim mes Serbisë dhe dy shteteve shqiptare.

Për Kosovën, shkëmbimi i territoreve me Serbinë nënkupton devijim nga dispozitat e Kushtetutës së Marti Ahtisaarit, një pjesë e pandarë e statutit të Hartës. Madje, nga viti 2004, BE ka vendosur si kusht themelor përjashtimin e çdo mundësie bashkimi ose aneksimi, të pjesshëm apo të plotë të Kosovës me cilindo vend fqinj.

Marrëveshja në parim e shkëmbimit të territoreve në vend të një pakti të “rikonfigurimit të kufijve” që po shënohet mes Prishtinës, Tiranës dhe Beogradit do të përbëjë zhvillimin më të rëndësishëm pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe pavarësisë së 7 republikave, përfshi Kosovën. Pasi, në rast se miratohet, madje me bekimet e faktorit ndërkombëtar, praktikisht shfuqizon motivet, arsyet dhe shkakun e përfshirjes sonë ushtarake dhe politike (BE, NATO etj…) pro themelimit të supozuar të shteteve multietnike. Kush e vë në dyshim se hapi tjetër nuk do hidhet në Bosnjë dhe Hercegovinë?

Greqia vëzhgon neutrale zhvillimet.
Aktualisht, marrëdhëniet Shqipëri-Serbi si dhe Prishtinë-Beograd (të paktën në nivel të lartë) karakterizohen nga një notë besimi më e madhe, krahasuar me marrëdhëniet greko-shqiptare apo ato Athinë-Prishtinë. Ky është fakt, pavarësisht sa lejon në mënyrë sistematike udhëheqja zyrtare e Serbisë të njohin homologët e saj grekë. /BallkanWeb/ Përktheu Ira Londo/

Exit mobile version