Telegrafi

Ndotje nga mbetjet hidrokarbure në lumin Gjanica në Fier, policia procedon tre punonjës të dy kompanive private

Pas as njoftimit në media për ndotje të lumit Gjanica, nga shkarkimi i mbetjeve të hidrokarbureve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të Policisë në Fier, në bashkëpunim me ata të Agjencisë Rajonale të Mjedisit Fier-Vlorë-Gjirokastër, kanë kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale, për të përcaktuar përgjegjësinë penale për ndotjen.

Në përfundim të këtyre veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: K. A., 34 vjeç, me detyrë drejtor i Qendrës së Prodhimit të Naftës, Fier, dhe S. A., 35 vjeç, me detyrë përgjegjës i Sektorit të Dekantimit, Patos, në një kompaninë private Sh. A.;

Gjithashtu është proceduar edhe shtetasi E. B., 61 vjeç, me detyrë drejtor i operacioneve të hidrokarbureve, në një kompani tjetër private, gjithashtu Sh. A.

Nga hetimet rezulton se dy kompanitë private ku janë punonjës përgjegjës këta tre shtetas, nëpërmjet aktivitetit të tyre në fushën e hidrokarbureve, kanë ndotur ujërat e lumit Gjanica, pasi kanë shkarkuar aty, mbetjet e këtyre lëndëve.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale ” Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”. /Telegrafi/