Policia e shtetit në Durrës ka sekuestruar pajisje muzikore në një hotel për shkak të prishjes së qetësisë publike, duke shqetësuar banorët dhe pushuesit, pasi kishte vënë muzikë të lartë, ndërkaq janë proceduar penalisht pronari i hotelit dhe muzikanti.
Shërbimet e Policisë kanë konstatuar muzikë të lartë që përbënte shqetësim për banorët dhe pushuesit, dhe menjëherë kanë bërë sekuestrimin e pajisjeve që gjeneronin muzikën.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës dhe ato të Stacionit të Policisë Plazh, në vijim të kontrolleve për zbatimin e ligjit, si dhe në zbatim të detyrave të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, gjatë mbledhjes me drejtuesit qendrorë dhe vendorë të Policisë, për intensifikimin e kontrolleve, me qëllim zgjidhjen e shqetësimeve të banorëve dhe pushuesve, nga muzika e lartë në lokale, kanë ushtruar kontrolle në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, në një hotel te shkëmbi i Kavajës.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh referuan materialet në Prokurori ku u proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale ‘Prishja e qetësisë publike’, shtetasit: A. A., 40 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës (pronari i hotelit) dhe Xh. I., banues në Korçë (muzikant).
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve dhe hoteleve, që të zbatojnë me rigorozitet ligjin dhe rregullat në lidhje me ndotjen akustike, pasi në rast të konstatimit të ndotjes akustike, shërbimet e Policisë do të sekuestrojnë pajisjet që gjenerojnë muzikë dhe do të procedojnë sipas ligjit, shtetasit përgjegjës. /Telegrafi/