Telegrafi

Ndotja e deteve, plastika nuk kursen as Mesdheun

Nivelet e mikroplastikës po rriten shpejt edhe në Detin Mesdhe, sipas një studimi të biologëve marinë, që kanë kaluar gjashtë vite duke vëzhguar shkallën e problemit.

Rezultatet alarmante nga kampionët e planktonit të marra në këtë det, janë bërë publike në një konferencë në ishullin e Ponzës, afër Napolit, në Itali.

Të dhënat vijnë nga projekti Mesdheu, një laborator lundrues që është endur në ujërat e këtij deti për të krijuar një panoramë të shtrirjes së ndotjes.

Projekti ka zbuluar sasi të mëdha mbetjesh në shtratin e detit, kryesisht në zonat ku ka rryma, përcjell tch.

Shumë mbetje plastike që përfundojnë në det, lëshojnë mikroplastikë që gëlltitet nga peshqit, të cilët hyjnë në anën tjetër në zinxhirin ushqimor njerëzor.

“Prodhimi i plastikës në botë rritet me nëntë për qind çdo vit”, thotë profesori Adriano Madonna, një biolog i njohur detar në Universitetin e Napolit. “Kur të jetë e mundur le të kthehemi tek xhami, që mund të riciklohet dhe të heqim dorë nga plastika”, shton ai.

Ekspertët po ashtu dhanë edhe prova të reja mbi shtrirjen e ndryshimeve klimatike, me zbulimin e një alge tropikale në ishullin Egadi, në perëndim të Sicilisë.