Site icon Telegrafi

Ndotja e ajrit në Prishtinë, tejkalon vlerat e lejuara

“Matja apo monitorimi i cilësisë së ajrit në Kosovë bëhet përmes matjeve automatike, që d.m.th. kemi sistemin e matjeve 24 ore pa ndërprerë. Në të gjithë territorin e Kosovës, Agjensioni i mbrojtjes së mjedisit të Kosovës, konkretisht Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, posedon gjithsej 12 stacione monitoruese te sistemit automatik”, thuhet në një kumtesë të lëshuar nga Letafete Latifi, ushtruese e detyrës së drejtoreshës në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës.

Më tej në kumtesë, thuhet se, në këto stacione monitorohen këta ndotës: dyoksidi i sulfurit (SO2) , dyoksidi i azotit (NO2), monoksidi i karbonit (CO), Ozoni (O3) dhe grimcat e pluhurit të suspenduara në ajër të quajtura PM10 dhe PM2,5.

“Po ashtu edhe në Prishtinë kemi dy stacione të monitorimit të ajrit të vendosura njëri tek ndërtesa e Rilindjes dhe një tek Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës(IHMK)”.

“Nga të dhënat e mbledhura nga sistemi i monitorimit të cilësisë së ajrit në Prishtinë, rezulton se nuk ka tejkalime të vlerave të lejuara me ndotësit e gaztë, siç janë dyoksidi i sulfurit (SO2) , dyoksidi i azotit (NO2), monoksidi i karbonit (CO), Ozoni (O3), por ajrin në Prishtinë e bën të cilësisë jo aq të mirë ndotja me grimca të pluhurit të suspenduara në ajër, të ashtuquajtura grimca PM10 dhe PM2.5, të cilat i tejkalojnë vlerat e lejuara sipas standardeve vendore dhe ato të BE-së”, thuhet në kumtesë.

“Si burim i ndotjes me PM10 dhe PM2,5 konsiderohen: industria, transporti, si dhe lendet djegëse qe përdorën për ngrohje në sezonin e dimrit.
Po ashtu edhe për ndotësit e gaztë siç janë :SO2, CO, NO2 burime të ndotjes konsiderohen industria dhe transporti, por gjatë sezonit dimërorë këtyre dy burimeve i shtohet edhe ndotja nga emisionet e ngrohjeve shtëpiake”.

“Gjatë periudhës 01Tetor 2013 deri me tani vlerat e përqendrimit të dyoksidit të sulfurit i cili lirohet në atmosferë kryesisht nga djegia e karburanteve dhe thëngjillit ka arrit vlerën maksimale të mesatares një orëshe në 90,1 ug/m3, gjatë muajit dhjetorë, gjë që nuk tejkalon vlerën e lejuar të mesatares një orëshe e cila është 350ug/m3 sipas standardeve të BE-së dhe standardeve të Republikës së Kosovës”, thuhet në kumtesën e drejtoreshës Latifi .

Sipas saj, monitorimi i cilësisë së ajrit ndahet në dy periudha monitoruese, në periudhën e sezonit veror dhe sezonit dimëror. “Kjo periudhe për të cilën është krijuar panik rreth ndotjes së ajrit me gazra ndotës, i përket periudhës së sezonit dimëror”.

“Në këtë periudhë, jo vetëm këtë vit, por në të gjitha vitet e mëhershme dhe në të gjitha vendet e botës rritet përqendrimi i disa ndotësve në ajër, në krahasim me sezonin veror, jo për shkakun që tani është alarmuar. Por, gjatë kësaj periudhe siç e përmenda, si burim i ndotjes shtohen edhe emisionet nga ngrohjet shtëpiake përveç burimeve tjera që janë transporti dhe industria, por megjithatë nuk tejkalojnë vlerat limite të lejuara me ndotësit e gaztë siç janë: dyoksidi i sulfurit (SO2) , dyoksidi i azotit (NO2), monoksidi i karbonit (CO), Ozoni (O3) dhe grimcat e pluhurit te suspenduara ne ajër te quajtura PM10 dhe PM2,5”, thuhet në kumtesën e nënshkruar nga Letafete Latifi, ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Institutit Hidrometeorologjik i Kosovës. /Telegrafi/
 

Exit mobile version