Telegrafi

Ajri sonte në Prishtinë arrin shkallën më të lartë të ndotjes

Ditët e fundit përsëri është raportuar për ndotjen e lartë të ajrit në Kosovë, sidomos në kryeqytet.

Sipas matjeve të fundit të cilësisë së ajrit nga matësit e Ambasadës Amerikane në Prishtinë të shtunën në ora 20:00, cilësia e ajrit del të jetë në shkallën 432, shumë i dëmshëm.

Ndotja e ajrit është shkaktuar pas rënies së temperaturave, por edhe për shkak të mungesës së erërave, të cilat e largojnë tymin e shkaktuar nga ndotësit e ndryshëm, si nga KEK-u, përdorimi i lëndëve djegëse për ngrohje dhe ndotja nga veturat.

Ndëkaq, ajri i papastër është forma më vdekjeprurëse, duke u bërë  shkaktari i katërt kryesor i vdekjeve të parakohshme.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka alarmuar se ndotja e ajrit është një prej kërcënimeve më të mëdha për shëndetin global.

Sipas agjencisë së OKB-së për Shëndetësi, ndotja e ajrit vret 7 milionë njerëz në botë çdo vit, përfshirë 600 mijë fëmijë.

Ajri i ndotur mund të dëmtojë veçanërisht rëndë fëmijët, të moshuarit apo kategoritë e njerëzve që përballen me probleme shëndetësore./Telegrafi