Për 30 vjet, Shemsi Gara operoi në një minierë qymyri në Kosovë dhe u përball me pluhur toksik që mbulonte fytyrën e tij dhe i futej në rrugët e frymëmarrjes.
Jeta në shtëpi nuk ishte shumë më e mirë: termocentralet që miniera furnizon vazhdimisht shpërndanin tym mbi fshatin e tij.
Gara vdiq të dielën në moshën 55-vjeçare, pasi për tre vjet trajtim nuk arriti të kontrollonte kancerin e tij në mushkëri.
Në ditët e tij të fundit, i paaftë për të ecur, ai shtrihej në një divan në shtëpi, i rraskapitur dhe me dhimbje, ndërsa një makinë pomponte oksigjen në trupin e tij që po vdiste.
“Vazhdova t’i thosha se doja të ndihmoja, por nuk munda”, tha bashkëshortja e tij Xhejlanja.
“Ai thoshte se vetëm Zoti e di dhimbjen që kam”, shtoi ajo.
Ndërsa pjesa më e madhe e botës po lëviz për të reduktuar përdorimin e lëndëve djegëse fosile, ndotja në vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet e lartë për shkak të ngrohjes së shtëpive, impianteve të vjetruara të qymyrit, veturave të vjetra dhe mungesës së parave për të trajtuar problemin, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Qytetet relativisht të vogla, si kryeqyteti i Serbisë, Beogradi dhe kryeqyteti i Bosnjës, Sarajeva, shpesh kanë kryesuar listat e përditshme të ndotjes globale, sipas faqeve të internetit që ndjekin cilësinë e ajrit në mbarë botën.
Bëhet e ditur se kjo ka ndikime të kushtueshme shëndetësore dhe gjithashtu mund të rrezikojë perspektivat e vendeve të tilla për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, i cili ka standarde më të rrepta të emetimeve.
“Nuk ka burime në rajon për reduktimin e ndotjes së ajrit”, tha Mirko Popoviq, drejtor i Institutit Rregullator të Energjisë së Rinovueshme dhe Mjedisit në Beograd.
Në BE, emetimet neto të gazeve serrë kanë rënë me rreth 40% që nga viti 1990, të nxitura nga përqafimi i energjisë së rinovueshme, sipas një raporti të Komisionit Evropian në nëntor.
Raportohet se vendet e Ballkanit Perëndimor janë zotuar të reduktojnë emetimet e karbonit, por vështirësitë ekonomike kanë ngadalësuar progresin.
Kosova, një nga vendet më të varfra të Evropës, gjeneron më shumë se 90% të energjisë së saj nga qymyri.
Banka Botërore vlerëson se një kalim në një ekonomi pa qymyr do t’i kushtojë 4.5 miliardë euro.
Megjithatë, ndikimi i ndotjes është i qartë në të gjithë rajonin, veçanërisht në dimër.
Smogu ka mbuluar Beogradin këtë javë, ndërsa Sarajeva ndodhet në një luginë që vepron si një kurth ndotjeje.
Cilësia e ajrit të kryeqytetit boshnjak u klasifikua si “e rrezikshme” të martën, më e keqja në botë, sipas IQAir, i cili gjurmon nivelet e ndotjes.
Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkupin, vendasit shpesh shihen me maska.
Shkalla e vdekjeve që i atribuohet ndotjes së ambientit është relativisht e lartë – 114 për 100,000 njerëz në Bosnje dhe rreth 100 në Serbi dhe Mal të Zi, tregojnë të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, krahasuar me vetëm 45 në Gjermani dhe 29 në Francë.
Gara u varros të hënën në një varrezë në Obiliq, jashtë kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës.
Nga varri, mund të dëgjohej zhurma e një transporteri aty pranë termocentraleve.
Mjeku i Garës, Haki Jashari, fajësoi për kancerin e Garës vitet e tij në minierën e qymyrit dhe termocentralet ndotëse.
“Shkalla e kancerit është më shumë se dyfishuar në Obiliq gjatë dy viteve të fundit”, tha Jashari duke shtuar se pret se do të përkeqësohet.
Ministria e Energjisë e Kosovës tha se ishte e përkushtuar për reduktimin e emetimeve dhe po investonte në projektet e energjisë së rinovueshme dhe përmirësimin e impianteve ekzistuese. /Telegrafi/