Telegrafi

Ndotja akustike shqetësim për turistët në Shqipëri, qeveria vendos fasha oraresh për aktivitet muzikore

Ministrja shqiptare e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se një vendim i arritur nga mbledhja e qeverisë këtë të enjte ishte miratimi i amendimit të ligjit për vlerësimin e zhurmave në mjedis.

Ajo tha se duke qenë se ndotja akustike ishte një nga problemet më të mëdha të sezonit turistik të vitit të kaluar këtë vit do të vendosen fasha oraresh kur policia do kryejë kontrolle. Sipas ministres fashat e orareve për sezonin e verës dhe aktivitetet muzikore të përditshme do të jenë 12 e drekës deri në mesnatë.

“Mbledhja e qeverisë sot doli me një vendim shumë të rëndësishëm miratuam amendimet e ligjit për vlerësimin e zhurmave në mjedis. Është një punë 1 vjeçare, por edhe si rezultat i gjithë vëzhgimit që kemi bërë vitin e kaluar në sezonin turistik, ku një nga shqetësimet më të mëdha ishte ndotja akustike në nivele të larta për shkak të muzikës së shpërndarë në lokale bare e restorante.

I dhamë zgjidhje një problemi të akumuluar prej vitesh duke bërë amendimin për ligjin për zhurmat dhe duke filluar nga ky sezon me miratimin e ligjit në parlament, do të kemi një kontroll më të rreptë të ligjit”, tha Kumbaro.

Gjithashtu ajo shtoi se do bëhet një ndarje më e qartë e kompetencave të institucioneve, në mënyrë që kontrollet të jenë më efikase.

“Do të kemi fasha orare më të kontrolluara dhe një kompetencë të zgjeruar të policisë së shtetit sa i përket kontrollit me mjete të certifikuara dhe sipas standardeve të OBSH për të kontrolluar ndotjen akustike dhe oraret por dhe një detyrë të re për bashkitë që me hyrjen në fuqi të këtij ligji, kanë për detyrë për të përcaktuar hartën e zhurmave për të përcaktuar qartë zonat e banuara që do të jenë të qeta, ku janë larg banesave apo hoteleve familjare ku zhvillohen aktivitete zbavitëse ashtu sikurse do të ketë një ndarje më të qartë të kompetencave midis policisë bashkiake që do të vazhdojë të kontrollojë dhe do të pajiset me mjete certifikuese të akredituata”, tha ministrja.

“Pra, një ndarje më të qartë të kompetencave për t’i dhënë fund topit që hidhej sa te mjedisi, shëndetësia, policia dhe bashkia. Fashat orare për sezonin e verës dhe aktivitetet muzikore të përditshme do të jenë 12 e drekës deri në 12 të natës dhe policia do të marrë kompetencat për të kontrolluar aktivitetet ekonomike që nuk respektojnë këto norma”, sqaroi Kumbaro. /Telegrafi/