Site icon Telegrafi

Ndodhi e jetuar

Nga: Leo Tolstoy
Përktheu: Miltiadh Bode

Midis Francës dhe Italisë, në bregun e Detit Mesdhe, ndodhet një mbretëri e vogël, shumë, shumë e vogël. Kjo mbretëri quhet Monako. Në këtë mbretëri ka më pak banorë sesa në një fshat të madh, gjithsej shtatë mijë banorë, ndërsa tokë, as një hektar për frymë. Por, në mbretërinë e vogël ka edhe një mbret të vërtetë. Ky mbret ka edhe pallat, ka oborrtarë, dhe ministra, dhe arkieri (drejtuesit e fesë), dhe gjeneralë dhe ushtri.

Ushtria është e vogël, gjithë e gjithë gjashtëdhjetë vetë, por sidoqoftë, është ushtri. Të ardhurat e mbretërisë janë të pakta. Taksat janë, si kudo, edhe për duhanin, edhe për verën, edhe për rakinë, edhe taksë për frymë; edhe pse pinë alkool dhe duhan, dhe populli është i vogël, mbreti nuk do të kishte me se t’i ushqente oborrtarët e tij dhe nënpunësit apo të ushqehej edhe vetë, po të mos kishte të ardhura të veçanta. Por, e ardhura e veçantë e tij në mbretëri vinte nga lojërat e fatit – ruletat. Njerëzit luajnë, humbasin, fitojnë, veç ama pronari gjithmonë fiton. Por, pronari nga të ardhurat i paguan mbretit shumë para. Dhe, i paguan shumë para sepse tani ka mbetur e vetmja kompani lotarie në të gjithë Evropën. Më parë kishte të tilla lojëra fati edhe te princat e vegjël gjermanë, por ato i ndaluan dhjetë vjet më parë. Dhe, i mbyllën për arsye se ato sillnin shumë të këqija. Do të vijë dikush, do fillojë të luajë, shpërthen tërë inat, i harxhon të gjitha ç’ka, biles edhe paratë e botës, dhe pastaj, nga inati ose nxehet, ose qëllon. Gjermanët i ndaluan princat e tyre, kurse mbretin e Monakos nuk e ndalon askush: kështu që, vetëm tek ai është ruajtur kazinoja.

Nga ajo kohë të gjithë bixhozxhinjtë shkojnë atje, luajnë dhe humbasin, ndërsa pronari fiton gjithnjë. Nga punët e ndershme nuk grumbullon dot, pak nga pak para, për pallate guri. Edhe mbreti i Monakos e di që kjo është punë e pistë, por si t’ia bëjë? Duhet jetuar. Edhe nga rakia, edhe nga duhani nuk është më mirë të ushqehesh. Kështu jeton ky mbret i vogël; mbretëron, para grumbullon dhe i zbaton në pallatin e tij të gjitha rregullat si të gjithë mbretërit e mëdhenj. Kështu, ai edhe kurorëzohet, edhe dalje bën, edhe shpërblime, apo dekorata shpërndan, edhe dënon me vdekje, edhe fal, po ashtu ka parade, dhe këshilla, dhe ligje, dhe gjyqe. Gjithçka si tek mbretërit e vërtetë. Vetëm se gjithçka është e vogël.

Po ja, ndodhi njëherë, pesë vjet më parë tek ky mbret, pra në këtë mbretëri, një vrasje; populli është i butë, paqësor dhe të tilla gjëra nuk para ndodhin këtu. U mblodhën gjyqtarët dhe filluan të gjykojnë me ndershmërinë më të madhe gjithçka siç duhet. Dhe gjykatësit, dhe prokurorët, dhe personat e betuar dhe të zgjedhur nga populli, dhe avokatët. Gjykuan dhe stërgjykuan sipas ligjit dhe dënuan fajtorin, po sipas ligjit, me prerjen e kokës. Mirë, vendimin ia paraqitën mbretit. Mbreti e lexoi vendimin dhe e miratoi. Ta ekzekutojmë me prerjen e kokës, atëherë, kështu të bëhet. Vetëm kishte një të keqe: ata, në mbretërinë e tyre, nuk kanë as gijotinë për të prerë kokën, as xhelat. U menduan sa u menduan, më në fund vendosën t’i shkruajnë letër qeverisë franceze me kërkesën: nëse ka mundësi, ata të dërgojnë përkohësisht gijotinën dhe xhelatin për t’i prerë kokën fajtorit dhe po pati mundësi, të njoftojnë sa para duhen për këtë punë.

Ia dërguan letrën. Pas një jave morën përgjigje: Ne mund të dërgojmë gijotinën dhe xhelatin për gjashtëmbëdhjetë mijë franga. Njoftuan mbretin. Mbreti u mendua sa u mendua dhe tha: gjashtëmbëdhjetë mijë franga! “Nuk ia vlen të shpenzojmë për të poshtrin aq para. A nuk mund të bëhet më lirë? Se me gjashtëmbëdhjetë mijë franga do të thotë që t’i vë më shumë se dy franga taksë çdo banori. Kjo do të na rëndojë shumë. Mos na bëjnë revoltë.”

Mblodhën Këshillin dhe rrahën mendime: si ta zgjidhim këtë punë? Vendosën t’i dërgojnë letër – kërkesë mbretit Italian. Qeveria franceze është republikë, nuk i respekton mbretërit, kurse mbreti Italian, sidoqoftë, është vëllai i tyre, mbase do të na e japë më lirë. I shkruan letër; marrin përgjigje shpejt. Qeveria italiane do të dërgojë edhe gijotinën, edhe xhelatin me kënaqësi. Të gjitha, bashkë me udhëzimin, kushtojnë dymbëdhjetë mijë franga. Më lirë është, po sidoqoftë shtrenjtë. Përsëri, nuk kushton i poshtri kaq para. Na duhet të vëmë nga dy franga për njeri.

Përsëri u mblodh Këshilli. U menduan sa u menduan dhe thanë: nuk ka mundësi vallë më lirë? Nuk mund të merret vallë ndonjë prej ushtarëve, që t’ia presë kokën, si therin gjënë e gjallë në shtëpi? Thirrën gjeneralin. “Si nuk mund të gjendet një ushtar i tillë, që t’i presë kokën? Një lloj sikur i vrasin në luftë. Ushtarët për të vrarë i përgatisin”. Gjenerali foli me ushtarët nëse mundet ndonjë ta bëjë këtë. Asnjë ushtar nuk doli. “Jo, thonë ata, ne nuk mund ta bëjmë këtë dhe as që nuk kemi mësuar.”

Si t’ia bëjmë? Përsëri u menduan dhe u menduan, mblodhën komitetin, komisionin, nënkomisionin. Ndërruan mendim. Duhet, thanë, ta zëvendësojmë dënimin me vdekje, me burgim të përjetshëm. Dhe mbreti do të tregohet i mëshirshëm dhe do të bëjmë më pak shpenzim. Mbreti pranoi dhe kështu vendosën. Por, ka një të keqe, se nuk ka burg të veçantë për burgim të përjetshëm. Ka burgje më të lehtë, ku i burgosin përkohësisht, por burg të fortë e të sigurt, për t’i mbyllur për jetë, të tillë s’ka. Megjithatë gjetën një ambient. E futën djaloshin. I vunë edhe një roje. Roja edhe ruante, po edhe vinte në kuzhinë të merrte ushqim në pallat për të burgosurin. Djaloshi rri këtu gjashtë muaj, rri një vit.

Mbreti filloi të verifikojë shpenzimet dhe të ardhurat në fund të vitit dhe shikon: shpenzimet për të mbajtur kriminelin ishin të mëdha. Fut këtu edhe rojën, edhe ushqimin. Të gjitha këto kushtonin gjashtëqind franga në vit. Ndërsa djaloshi është i vogël, i shëndoshë, mund të rrojë pesëdhjetë vjet. Pa bëj hesap sa do të shkojnë. Janë shpenzime të mëdha. Nuk bën kështu. Mbreti thirri ministrat: “Mendoni, thotë ai, si t’ia bëjmë me këtë kopuk, për të larë hesapet me të (për ta hequr qafe). Sepse ai do të na kushtojë shtrenjtë.” U mblodhën ministrat, u menduan e u menduan shumë. Njëri tha: “Ja si të veprojmë, zotërinj, për mendimin tim, të heqim rojën.” Ndërsa, tjetri tha: “Mirë, ta zëmë se roja do të largohet. Po do të largohet edhe qeni me të.”

Njoftuan mbretin. E hoqën rojën. Të shohim se çdo të bëhet. Por, shohin se i erdhi koha për të ngrënë drekë, krimineli doli, kërkoi rojën dhe nuk e gjeti. Atëherë shkoi në kuzhinën mbretërore për të ngrënë drekë. Mori çfarë i dhanë, u kthye në burg, mbylli derën dhe rrinte. Të nesërmen bëri të njëjtën gjë. Shkon për të marrë ushqimin, por për t’u larguar nuk largohet. Si t’ia bëjmë? U menduan thellë. Duhet t’i themi hapur se ai nuk na duhet. Le të dalë nga burgu dhe të ikë. Mirë. E thirri ministri i Drejtësisë dhe i tha: “Pse nuk largoheni nga burgu, të dilni i lirë? Ti roje s’ke më, s’të ruan njeri. Mund të largohesh lirisht dhe mbreti nuk do të fyhet.”

– “Mbreti nuk do të fyhet, por unë nuk kam ku të shkoj. E ku do të shkoj unë? Ju me dënimin që më dhatë, më turpëruat, tani mua nuk do të më marrë asnjë në punë. Unë jam shkarkuar nga të gjitha punët”. “Ju”, thotë ai, “nuk silleni drejt me mua. Kështu nuk ia vlen të bësh gjë. Se ja, më dënuat ju me vdekje, me prerje koke, mirë. Atëherë, duhej që ju të më prisnit kokën, por ju nuk e bëtë këtë. Kjo është e para. Unë nuk kundërshtova. Më vonë më dënuat me burgim të përjetshëm, më caktuat edhe roje, që ai të më sillte ushqimin, pastaj më hoqët rojën. Kjo është e dyta. Përsëri unë nuk thashë gjë, s’kundërshtova. Shkoja vetë për të marrë ushqimin. Tani ju më thoni: largohu, dil nga burgu. Jo, ju bëni si të doni, por unë nuk do të shkoj askund.”

Si t’ia bëjnë? Mblodhën përsëri Këshillin. Ç’të bëjnë? Ai nuk largohet. U menduan dhe vranë mendjen shumë. Duhet t’i caktojnë pension. Pa një gjë të tillë, nuk mund të shpëtojnë dot prej tij, nuk e heqin dot qafe. Njoftuan mbretin. “S’kemi ç’bëjmë”, tha, “le ta heqim nga sytë në njëfarë mënyre. Na mbeti në rreze”. “Të caktuam gjashtëqind franga pension”, i thanë.” “Atëherë, mirë”, “tha ai, “në qoftëse do të më paguani me siguri, besoj se do të largohem nga burgu.”

Ja, më në fund, vendosëm kështu. Ai mori një të tretën e parave në fillim, u përshëndet me të gjithë dhe u largua nga prona e mbretit. Ai bëri gjithsej një çerek ore udhëtim me tren. Doli, u vendos me shtëpi sa më afër, bleu tokë, veseliti një kopsht, bahçe, dhe jetonte mirë dhe i gëzuar. Në afatin e caktuar shkon e merr pensionin. E merr, shkon në kazino, vë dy-tre franga, nganjëherë fiton, nganjëherë humbet, dhe shkon në shtëpinë e vet. Jeton i qetë dhe mirë. Sa mirë që mëkati me të nuk ndodhi atje ku nuk i kursejnë paratë, as për t’i prerë kokën njeriut, as për burgim të përjetshëm.

Exit mobile version